Autoritetet shëndetësore në Britani njoftuan të martën (17 mars) një shpërthim “të paprecedent” të meningjitit në Kent dhe paralajmëruan për një situatë që po zhvillohet me shpejtësi.
Ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, tha se qeveria do të nisë një program të targetuar vaksinimi për studentët që jetojnë në konvikte në Canterbury, pranë Universitetit të Kentit.
Sipas Agjencisë Britanike për Sigurinë Shëndetësore (UKHSA), dy të rinj kanë vdekur që nga shpërthimi i një forme të rrallë të Meningjitit B në zonën e Canterbury-t. Ministri i Shëndetësisë konfirmoi se aktualisht janë katër raste të Meningjitit B dhe 11 raste të tjera janë nën hetim.
Autoritetet franceze raportuan një rast të konfirmuar në Francë nga një person që kishte ndjekur Universitetin e Kentit, duke e bërë situatën ndërkombëtare.
Studentët, të shqetësuar, po marrin antibiotikë dhe këshilla nga punonjësit e shëndetësisë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. UKHSA do të publikojë të dhënat për shpërthimin çdo mëngjes në orën 09:30 GMT.
Studentja Simran tha se njoftimi erdhi shumë vonë për të blerë maska ose dezinfektues, ndërsa studentët Amy dhe Louis shprehën shqetësim për rrezikun e variantit më të rrezikshëm të meningjitit dhe rëndësinë e marrjes së antibiotikëve./mxh
