Vakti i fundit i ditës mund të ndikojë shumë më tepër sesa mendohet zakonisht. Një studim i udhëhequr nga Universiteti i Granadës, Spanjë, dhe i publikuar në “European Journal of Nutrition” ka zbuluar se ajo që konsumohet në darkë lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e gjumit, por edhe me zgjedhjet ushqimore të mëngjesit të ditës tjetër.
Sipas studiuesve, lidhja mes ushqimit dhe gjumit nuk funksionon vetëm në një drejtim. “Darka ndikon te gjumi dhe gjumi ndikon te zakonet ushqimore të mëngjesit”, shpjegojnë ata, duke treguar se bëhet fjalë për një cikël të vazhdueshëm ku njëri faktor ndikon tjetrin.
Për të studiuar këtë marrëdhënie, kërkuesit ndoqën për 14 ditë rresht burra dhe gra me obezitet në kushte normale të jetës së përditshme. Pjesëmarrësit regjistruan vaktet që konsumonin, veçanërisht darkën dhe mëngjesin, ndërsa cilësia e gjumit u monitorua përmes pajisjeve speciale që matin lëvizjet dhe gjumin.
Ndryshe nga studimet laboratorike, kjo metodë u lejoi studiuesve të shihnin zakonet e vërteta të njerëzve në përditshmëri. Qëllimi ishte të kuptohej më qartë si ndërveprojnë ushqimi dhe gjumi kur ndikohen nga rutina normale e jetës.
Një nga përfundimet kryesore ishte se përbërja ushqimore e darkës lidhet ngushtë me mënyrën si flihet gjatë natës. Darkat me shumë kalori, yndyrë, kolesterol, proteina, alkool, mish të kuq ose ushqime të skuqura u shoqëruan me cilësi më të dobët gjumi.
Nga ana tjetër, disa ushqime duket se ndihmojnë për një gjumë më të mirë. Studiuesit vunë re se darkat më të pasura me karbohidrate, vaj ulliri dhe peshk të yndyrshëm lidhen me pushim më cilësor gjatë natës.
Megjithatë, autorët theksojnë se studimi nuk provon drejtpërdrejt shkak-pasojë. Pra, nuk do të thotë automatikisht se një ushqim i caktuar garanton gjumë të mirë apo të keq, por se ekziston një lidhje e dukshme mes tyre.
Studimi tregoi gjithashtu se edhe gjumi ndikon në mënyrën si ushqehen njerëzit ditën tjetër. Personat që flinin më keq kishin tendencë të bënin zgjedhje më pak të shëndetshme në mëngjes.
Të dhënat treguan se ata që zgjoheshin më vonë konsumonin më shumë kalori në mëngjes, ndërsa gjumi i fragmentuar lidhej me konsum më të lartë sheqeri dhe më pak fibra. Në të kundërt, ata që flinin më gjatë kishin më shpesh një mëngjes më të balancuar dhe më të shëndetshëm.
Sipas studiuesve, një nga aspektet më interesante të studimit është pikërisht mënyra si darka, gjumi dhe mëngjesi duket se funksionojnë si pjesë e të njëjtit cikël. Edhe ndryshime të vogla në një prej këtyre elementeve mund të ndikojnë tek të tjerët.
Edhe pse efektet e vërejtura nuk ishin drastike, studiuesit besojnë se këto gjetje mund të ndihmojnë në të ardhmen për strategji më të mira në parandalimin dhe trajtimin e obezitetit, duke marrë parasysh jo vetëm çfarë hanë njerëzit, por edhe kur hanë dhe sa mirë flenë./mxh
