Nëse këmisha klasike me kopsa po ju duket paksa e mërzitshme, moda e vitit 2026 ka një alternativë më interesante. Këmishat smoking, të njohura për pjesën e përparme më të strukturuar dhe pamjen elegante, po kthehen në një nga veshjet bazë të garderobës dhe po kombinohen me funde, pantallona, xhinse e shumë më tepër.
Ky trend mori vëmendje veçanërisht pas koleksionit të parë të Matthieu Blazy për Chanel vitin e kaluar, por mënyra më interesante për ta veshur u pa së fundmi në Milano, larg pasarelave.

Jennifer Lopez u shfaq në qytetin italian para eventeve të Javës së Modës në Milano, e veshur me një palë pantallona të zeza me bel të lartë dhe një këmishë smoking të lënë të zbërthyer. Poshtë saj kishte veshur një reçipetë të zezë elegante, duke krijuar një kombinim që ndërthurte pamjen klasike me një detaj më të guximshëm.
Ajo e kompletoi veshjen me këpucë të zeza me platformë, një çantë të zezë me dorezë dhe një unazë diamanti me vlerë mbi 16 mijë dollarë.

Sekreti për ta bërë këtë lloj këmishë të duket moderne në 2026 është pikërisht mënyra si e veshi Lopez: këmisha lihet e zbërthyer në pjesën e sipërme, por futet brenda pantallonave me bel të lartë. Në këtë mënyrë, pamja mbetet elegante dhe e kuruar, pa u dukur sikur po përpiqet shumë.

Për një version më të përditshëm, pantallonat elegante mund të zëvendësohen me xhinse vintage dhe këpucë me taka të ulëta. Nëse kërkoni një pamje më të kuruar, këmisha mund të kombinohet me pantallona elegante, një fund laps ose një fund të gjatë dhe të drejtë. Një tjetër mënyrë për ta çuar kombinimin në një tjetër nivel është zgjedhja e materialeve prej lëkure.



Edhe pjesa që vishet poshtë këmishës mund të përdoret si element i rëndësishëm i pamjes. Një reçipetë prej mëndafshi në nuanca pastel ose një model me dantellë të qëndisur mund t’i japë kombinimit një kontrast më delikat.


Pra, këmisha smoking nuk është më vetëm pjesë e veshjeve formale. Në 2026, ajo po përdoret si një alternativë më interesante ndaj këmishës së zakonshme me kopsa dhe mund të përshtatet lehtësisht si për një veshje të përditshme, ashtu edhe për një dalje më elegante./k.m


