Aktorja legjendare Meryl Streep ka ndarë një kujtim interesant nga prapaskenat e filmit të njohur “Death Becomes Her”, duke treguar se mes saj dhe Goldie Hawn ka pasur një përplasje të vogël gjatë xhirimeve.
Në një intervistë për Vanity Fair, Streep foli për disa prej roleve që kanë shënuar karrierën e saj, ndërsa ndaloi edhe te filmi i vitit 1992. Ajo kujtoi me humor se Hawn kishte shpesh vonesa në set, ndryshe nga vetja e saj që njihet për përpikëri në orare.
“Goldie vinte shpesh me vonesë, ndërsa unë jam gjithmonë e përpiktë – ndoshta edhe në mënyrë të tepruar,” u shpreh Streep me tone të lehta.
Megjithatë, ajo e përshkroi kolegen me shumë dashamirësi, duke kujtuar momentet kur Hawn mbërrinte me makinën e saj sportive të kuqe dhe kërkonte ndjesë me buzëqeshje, duke fituar menjëherë simpatinë e të gjithëve në set.
Pavarësisht këtij “konflikti” të vogël, Streep theksoi se atmosfera gjatë xhirimeve ishte plot humor. Ajo tregoi se shpesh shpërthenin në të qeshura gjatë skenave të përbashkëta, aq sa detyroheshin të ndalonin xhirimet. Sipas saj, Hawn ka një të qeshur shumë karakteristike dhe ngjitëse.
Aktorja sqaroi se mes tyre nuk ka pasur kurrë ndonjë përplasje serioze dhe se marrëdhënia e tyre ka mbetur e mirë ndër vite.
“Death Becomes Her”, ku interpreton edhe Bruce Willis, trajton rivalitetin mes dy grave që përplasen për dashurinë e një kirurgu plastik. Filmi pati një sukses të madh në kohën e publikimit dhe sot konsiderohet një klasik i dashur nga publiku.
Në intervistë, Streep foli me vlerësim edhe për Bruce Willis, duke e cilësuar si një partner shumë të mirë pune dhe profesional gjatë xhirimeve./mxh
