Prince Jackson ka ndarë kujtime të veçanta nga jeta pranë babait të tij, legjendës së muzikës Michael Jackson, duke e përshkruar atë si një prind të përkushtuar dhe plot imagjinatë.
Në një rrëfim emocional, 29-vjeçari tregoi se fëmijëria e tij, ndonëse ndryshe nga ajo e të tjerëve, ishte e mbushur me dashuri dhe përvoja të paharrueshme. Ai theksoi se koha me të atin ishte gjithmonë argëtuese dhe frymëzuese, aq sa do të dëshironte ta ndiqte shembullin e tij nëse bëhet vetë prind në të ardhmen.
Sipas Prince, përditshmëria e tyre i ngjante një realiteti fantastik, ku lojërat, librat dhe filmat ishin pjesë e pandarë, ndërsa ambienti rreth tyre ishte i mbushur edhe me kafshë ekzotike. Ai e krahasoi këtë përvojë me një “Disneyland personal”, duke kujtuar momentet e bukura me familjen.
Duke folur për marrëdhënien me Michael Jackson, ai e përshkroi si një njeri të afërt dhe plot energji, që përfshihej plotësisht në botën e fëmijëve të tij. Sipas tij, këngëtari nuk ishte thjesht një prind, por edhe një shok loje që krijonte histori dhe ndante çdo moment me ta.
Prince preku edhe aspektin e sigurisë së lartë që i rrethonte, por theksoi se nuk është ndjerë kurrë i izoluar. Ai shpjegoi se babai i tyre i bënte gjithmonë të kuptonin arsyet pas këtyre masave, ndërsa prania e një familjeje të madhe me shumë kushërinj e bënte jetën e tyre edhe më të gjallë.
Edhe pse Michael Jackson u nda nga jeta në vitin 2009, ndikimi dhe trashëgimia e tij vazhdojnë të jenë të pranishme. Historia e tij do të rikthehet së shpejti në vëmendje përmes filmit biografik “Michael”, ku rolin kryesor do ta interpretojë nipi i tij, Jaafar Jackson./mxh
