Last Updated on 20/11/2025 by EL
Kancelari gjerman Friedrich Merz u është bashkuar partive të tij kristiandemokrate (CDU/CSU) në thirrjen për uljen e fluksit të të rinjve ukrainas meshkuj në Gjermani. Merz tha se në një bisedë telefonike me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski të enjten e kaluar, ai u kishte kërkuar atyre të “siguroheshin që të rinjtë nga Ukraina në veçanti të mos vinin në Gjermani në numër gjithnjë e më të madh”. Merz shtoi se ata duhet t’i shërbejnë atdheut të tyre: “Ata janë të nevojshëm atje”.
Partneri i koalicionit SPD mendon ndryshe
Kryeministri bavarez dhe kreu i CSU Markus Söder ishte politikani i parë i lartë që bëri një deklaratë të ngjashme. Në një intervistë me Bild, ai i bëri thirrje BE-së dhe qeverisë gjermane të ushtrojnë presion mbi Kievin në mënyrë që autoritetet atje “të kontrollojnë dhe të ulin ndjeshëm” fluksin e të rinjve. Sekretari i Përgjithshëm i CDU, Karsten Lienemann, dha argumente të ngjashme.
Në fund të gushtit, qeveria në Kiev lejoi edhe të rinjtë e moshës 18 deri në 22 vjeç të largoheshin nga vendi. Në Ukrainë, ata nuk rekrutohen në ushtri, por deri më tani nuk u është lejuar të largohen nga vendi. Sipas Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, numri i mbërritjeve javore në këtë grupmoshë është rritur nga 19 në mesin e gushtit në 1.800 në fund të tetorit. Në total, më shumë se 1.2 milion refugjatë nga Ukraina jetojnë në Gjermani.
Socialdemokratët deri më tani nuk kanë marrë një qëndrim të qartë në këtë debat. Deputeti i tyre Ralf Stegner i tha DW se e ka të vështirë t’u bëjë thirrje të rinjve ukrainas që t’i shërbejnë vendit të tyre si ushtarë.
“Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë të kontribuojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo më duket më e rëndësishme sesa pikëpamja e kthesës së migracionit, e cila shpesh është sfondi i iniciativave të tilla. Ne duhet t’i trajtojmë ata që vijnë, për shembull refugjatët e luftës, në një mënyrë të arsyeshme.”
Cili është qëllimi i Merz?
Një nga arsyet pse Merz i bën thirrje Zelenskit është qëllimi i Qeverisë gjermane për të kufizuar flukset e migracionit në Gjermani, thotë Stefan Meister i Shoqërisë Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP) në Berlin. Kancelari është i shqetësuar se të rinjtë, të cilët i nevojiten Ukrainës, po largohen nga vendi. Por bëhet fjalë edhe për dëshirën e Merz për të përmbushur premtimet e tij të fushatës.
Kjo nuk vlen vetëm për ukrainasit. Qëllimi i kufizimit të imigracionit është pjesë e një debati më të gjerë rreth refugjatëve dhe migrantëve në Gjermani. Në total, Gjermania ka pranuar “mbi një milion ukrainas”, një numër që “e rëndon ndjeshëm sistemin gjerman”, thotë Meister. Shkencëtari politik i atribuon gjithashtu një “formë populizmi” Kancelarit dhe thekson se Alternativa populiste e krahut të djathtë për Gjermaninë (AfD) po e përdor këtë debat për të ushtruar presion mbi partitë e Unionit.
Disa ekspertë e interpretojnë reformën e nisur tani të shpenzimeve sociale të njohur si “Bürgergeld” si një mesazh për votuesit potencialë të AfD-së. Ndër të tjera, është planifikuar që refugjatët ukrainas që vijnë në Gjermani pas 1 prillit 2025, nuk do të kenë më të drejtë për këto para. Përfitimet e tyre do të barazohen me ato të azilkërkuesve, pra si të gjithë të tjerët.
Në të ardhmen, ata do të marrin rreth 120 euro më pak në muaj. Ukrainasit beqarë deri më tani kanë marrë rreth 560 euro në muaj, plus një pagesë për qira, ngrohje dhe sigurim shëndetësor. Në të ardhmen, ndihma shtetërore do të jetë rreth 440 euro, ndërsa kujdesi shëndetësor do të jetë i kufizuar.
“Merz ka të drejtë”, thotë Winfried Schneider-Deters, një shkencëtar politik dhe publicist që jeton në Ukrainë dhe Gjermani. “Është groteske që Kancelari gjerman duhet t’ia kujtojë Presidentit ukrainas se ukrainasit e rinj janë ‘të nevojshëm’ atje – si ushtarë, sigurisht.” M.P.
