Kancelari gjerman Friedrich Merz kritikoi ashpër sulmet e përshkallëzuara të Rusisë mbi infrastrukturën në Ukrainë, duke i cilësuar ato si një fushatë të drejtpërdrejtë kundër civilëve.
“Kjo nuk ka më të bëjë me objektiva ushtarake. Është luftë e pastër terrori kundër popullsisë civile të Ukrainës”, tha Merz gjatë një takimi me kryeministrin suedez Ulf Kristersson në Berlin.
Komentet e tij erdhën disa orë pasi të paktën 25 persona vdiqën, kur një sulm ajror rus shkatërroi dy pallate banimi në qytetin perëndimor ukrainas, Ternopil.
Zyrtarët thanë se të paktën 73 persona u plagosën, përfshirë 16 fëmijë.
Në lëvizje të mëtejshme për të frenuar fushatën ushtarake të Moskës, Merz bëri thirrje ndaj partnerëve evropianë që të arrijnë një marrëveshje mbi përdorimin e aseteve ruse deri muajin e ardhshëm.
“Gjermania do të rrisë mbështetjen financiare për ushtrinë ukrainase me tre miliardë euro shtesë (rreth 3,4 miliardë dollarë) vitin e ardhshëm”, theksoi ai
“Dhe kjo gjithashtu nënkupton veprime reale dhe të paepura kundër korrupsionit. Kjo është një domosdoshmëri absolute në Ukrainë”, tha Merz.
