Last Updated on 29/10/2026 by Anisa
Salla e seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë është shndërruar në një skenë kaosi, pasi demokratët kanë ndezur flakadanë, ndërsa socialistët në kushtet e mungesës së kushteve për diskutime, kanë kërkuar kalim direkt në votim.
I pranishëm në sallë ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, por disa minuta pasi kaosi shpërtheu në sallë dhe deputetët e Partisë Demokratike nisën të ndiznin flakadanë njëri pas tjetrit, për të kundërshtuar zhvillimet, Edi Rama raportohet se është larguar.
Më herët këtë të enjte, lideri demokrat Sali Berisha u është drejtuar deputetëve socialistë me një kërcënim të drejtpërdrejt, në përgjigje të dhunës policore ndaj të rinjve që janë ngritur në protesta.
“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh, u çanë kafka, mjetet më të egra u përdorën kundër të rinjve. Këta parlamentarë që shihni këtu, këta janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka, se ata që çajnë kafka.
Këta janë kriminelë dhe këta e meritojnë gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kafkat e çara, kockat e thyera, jo të rinjtë”, u shpreh Sali Berisha, duke bërë që kryeparlamentari Niko Peleshi të mbyllte me urgjencë seancën kur sapo kishte nisur, ndërsa lideri demokrat u përjashtua.
Rendi i ditës – Seancë Plenare 29 tetor 2026 ora 10:00
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 22.10.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
4. Projektligji “Për Bankën e Shqipërisë”.
5. Akt normativ nr. 4, datë 25.9.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
6. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2024, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve të universiteteve publike në Shqipëri, sipas parimit të eficiencës së energjisë V””.
7. Projektligji “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”.
8. Projektligji “Për mbrojtjen e konsumatorit”.
9. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 131/2015, “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, të ndryshuar”.
10. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar”.
11. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar”.
12. Projektligji “Për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare”.
13. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara””.
14. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 34/2019, “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, të ndryshuar”.
15. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar”.
16. Projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë jo të plotë pune, që rekrutohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të vitit 2027”.
17. Projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 67/2020, “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, të ndryshuar”.
18. Projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në strukturën organizative, organikën dhe kategorizimin e pozicioneve të punës të personelit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, të miratuar me vendimin e Kuvendit nr. 90/2022, “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 55/2014, “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave”, të ndryshuar””.
19. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës./ad
