Last Updated on 01/09/2026 by EL
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar kundër rregullores së re të Gjykatës së Posaçme, e cila hyri në fuqi më 1 shtator 2026, duke e cilësuar atë si një akt që kufizon lirinë e medias dhe transparencën e proceseve gjyqësore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta argumenton se kufizimi i medias në sallën e gjyqit nuk prek vetëm gazetarët, por edhe të drejtën e publikut për të ndjekur dhe kontrolluar mënyrën se si administrohet drejtësia.
Sipas tij, rregullorja krijon një regjim paralel dhe më kufizues se standardet e përcaktuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për marrëdhëniet mes gjykatave, publikut dhe medias.
Ai kundërshton veçanërisht kufizimet mbi praninë e gazetarëve, regjistrimet audio-vizive dhe sanksionet e parashikuara në rregullore. Meta thekson se një akt i brendshëm i GJKKO-së nuk mund të krijojë kufizime mbi të drejtat themelore pa një bazë të qartë ligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën apo Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas tij, media e pavarur nuk është armike e drejtësisë, por një mekanizëm thelbësor për transparencën, llogaridhënien dhe kontrollin publik mbi pushtetin gjyqësor. Meta i kërkon KLGJ-së të ndërhyjë për të garantuar respektimin e standardeve ekzistuese dhe shfuqizimin e parashikimeve që kufizojnë median në GJKKO.
Në përfundim, ai e cilëson rregulloren si “anti-GJKKO” dhe në shërbim të asaj që e quan “Drejtësi me Regji”, duke paralajmëruar se drejtësia nuk mund të fitojë besimin e qytetarëve duke kufizuar transparencën./k.m
