Last Updated on 16/09/2026 by EL
Mijëra efektivë të policisë franceze dolën të martën në rrugët e Parisit në një protestë masive kundër kushteve të punës, mungesës së personelit, problemeve me pajisjet dhe burimeve të pamjaftueshme. Protesta, e udhëhequr nga sindikata Aleanca e Policisë Kombëtare, nisi në Shanz-Elize dhe përfundoi pranë Asamblesë Kombëtare.
Pas marshimit, përfaqësuesit e sindikatës u drejtuan në Ministrinë e Brendshme, ku paraqitën kërkesat e tyre. Pas takimit, ata deklaruan se autoritetet kishin treguar gatishmëri për t’i dëgjuar dhe për të marrë në konsideratë shqetësimet e efektivëve.
Pakënaqësia e policëve është rritur për shkak të disa çështjeve, mes tyre edhe shtesa speciale për detyrën policore, e njohur si ISSP, ose “bonusi i rrezikut”, i cili nuk është rritur që prej vitit 2019.
Sindikata Aleanca e Policisë Kombëtare kërkon gjithashtu rritje të burimeve për stafin administrativ, teknik dhe shkencor, përmirësimin e mundësive për avancim në karrierë dhe shtimin e numrit të efektivëve. Sipas sindikatës, nevojiten 300 deri në 500 milionë euro shtesë në vit për të përmbushur këto nevoja.
Përpara protestës, një efektiv policie nga Reni e përshkroi situatën si “alarmante”, duke denoncuar mungesën e stafit, problemet me pajisjet dhe pagat e pamjaftueshme.
“Na duhen pajisje, na duhen njerëz dhe na duhet njohje në pagat tona”, tha ai, duke argumentuar se kushtet e punës “po përkeqësohen gjithnjë e më shumë”.
Negociata për zgjidhje
Më 4 shtator, sindikatat kryesore të policisë, Aleanca, Unité dhe UNSA Police, u pritën nga ministri i Brendshëm francez, Loran Nunjez. Pas takimit, sindikatat u ankuan se nuk kishte pasur përparim konkret lidhur me kërkesat e tyre për buxhetin.
Megjithatë, protesta e së martës duket se ka sjellë një ndryshim në tonin e negociatave.
Pas takimit me ministrin e Brendshëm, sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Fabien Vanemelrik, tha se autoritetet kishin treguar gatishmëri për të dëgjuar dhe kishin kuptuar seriozitetin e situatës me të cilën përballen efektivët.
“E vetmja gjë për të cilën mund të jemi të kënaqur është se ka një hapje dhe një ndërgjegjësim për situatën”, deklaroi Vanemelrik.
Sipas tij, Nunjez u ka kërkuar policëve “disa ditë”, pasi është duke përgatitur një plan për adresimin e kërkesave të tyre.
Në fillim të verës, Aleanca nisi fushatën “zero iniciativa”, së cilës iu bashkua më pas edhe Unité. Sindikata kishte përcaktuar 15 shtatorin si një tjetër fazë të mobilizimit, duke paralajmëruar mundësinë e një proteste të gjerë të policisë gjatë kësaj periudhe.
Protesta e së martës zhvillohet vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve profesionale brenda Policisë Kombëtare, të planifikuara për dhjetor, çka ka shtuar presionin e sindikatave ndaj autoriteteve franceze.
