Një grusht bajame mund të duket si snack-u më i zakonshëm në botë, por nëse i ha rregullisht, efekti mund të shkojë përtej faktit që të mbajnë të ngopur mes vakteve.
Bajamet përmbajnë proteina bimore, fibra, yndyrna të pangopura, vitaminë E, magnez dhe kalcium dhe ky kombinim është arsyeja pse sjellin përfitime për zemrën, lëkurën, tretjen, kontrollin e sheqerit në gjak dhe madje edhe rikuperimin pas aktivitetit fizik. Ja disa arsye pse duhet të konsumoni bajame:
Përmirësojnë lëkurën
Një nga gjërat më interesante për bajamet është përmbajtja e lartë e vitaminës E, një antioksidant që ndihmon në mbrojtjen e qelizave. Në një studim me gra pas menopauzës, konsumimi i bajameve për 24 javë u pasua me ulje të ashpërsisë së rrudhave dhe të pigmentimit të fytyrës. Kjo nuk do të thotë se bajamet janë “trajtim anti-age”, por megjithatë përbërësit e tyre mund të ndihmojnë për shëndetin e lëkurës.
Ndihmojnë pas stërvitjes
Bajamet mund të jenë edhe një snack i mirë pas aktivitetit fizik. Në një studim, personat që konsumuan rreth 46 bajame në ditë për katër javë patën më pak dhimbje muskulore, lodhje dhe dëmtim pas ushtrimeve intensive. Efekti u pa te persona që nuk ushtroheshin rregullisht, ndaj nuk mund të përgjithësohet për këdo, por të dhënat janë interesante.
Ndihmojnë shëndetin e zorrëve
Fibrat dhe përbërës të tjerë të bajameve mund të ndikojnë pozitivisht te mikrobioma e zorrëve, duke ndihmuar në rritjen e baktereve të dobishme. Kjo është e rëndësishme sepse një mikrobiomë e ekuilibruar lidhet me tretjen, metabolizmin dhe shumë procese të tjera në trup.
Ndihmojnë në mbajtjen e një niveli të qëndrueshëm të sheqerit në gjak
Bajamet përmbajnë një kombinim të mirë të proteinave, fibrave dhe yndyrnave, tre elemente që ndihmojnë në ngadalësimin e tretjes dhe përthithjes së karbohidrateve. Një studim tregoi se konsumimi i 20 gramë bajame rreth 30 minuta para një vakti lidhej me nivele më të ulëta të sheqerit në gjak pas ngrënies dhe me një kontroll më të mirë të glukozës.
Mund t’i bëjnë mirë zemrës
Bajamet përmbajnë fitosterole, përbërës bimorë që mund të ndihmojnë në uljen e kolesterolit LDL. Studimet sugjerojnë gjithashtu se konsumimi i rregullt i tyre mund të ndihmojë në uljen e presionit diastolik të gjakut. Një tjetër pikë e fortë janë yndyrnat e pangopura, të cilat janë një zgjedhje më e mirë për zemrën krahasuar me yndyrnat e ngopura.
Dhe jo, nuk do të thotë automatikisht shtim në peshë
Edhe pse bajamet janë kalorike, studimet nuk tregojnë se konsumimi i tyre i përditshëm çon domosdoshmërisht në shtim në peshë. Një arsye është se trupi nuk përthith të gjithë yndyrën që përmbajnë bajamet. Plus, fibrat, proteinat dhe yndyrnat ju mbajnë të ngopur, çka mund të ndihmojë në kontrollin e urisë gjatë ditës.
Një porcion standard, rreth 23 bajame, ka afërsisht 164 kalori, 6 gramë proteina, 3.5 gramë fibra dhe 14 gramë yndyrë dhe gjithashtu pothuajse gjysmën e nevojës ditore për vitaminë E.
Megjithatë, nuk janë zgjedhja ideale për të gjithë. Personat me alergji ndaj frutave të thata duhet t’i shmangin, ndërsa ata që kanë prirje për disa lloje gurësh në veshka duhet të kenë kujdes për shkak të oksalateve. Nëse hahen në sasi të mëdha, mund të shkaktojnë edhe fryrje ose shqetësime në tretje.
Për shumicën e njerëzve, megjithatë, një grusht bajame në ditë është një mënyrë e thjeshtë për t’i shtuar dietës fibra, proteina, yndyrna të mira dhe vitaminë E, pa pasur nevojë të ndryshosh gjithë mënyrën si ushqehesh./k.m
