Mikroplastika dhe nanoplastika janë bërë një nga ndotësit më të përhapur të epokës moderne. Fragmente plastike aq të vogla sa nuk shihen me sy të lirë gjenden sot pothuajse kudo: në ajër, në ujë, në tokë dhe madje edhe në organizmat e gjallë. Studime të viteve të fundit kanë zbuluar praninë e tyre në indet e zemrës së njeriut, në yndyrë dhe mushkëritë e balenave e delfinëve, madje edhe në jashtëqitjet e foshnjave të porsalindura. Kjo do të thotë se kontakti me mikroplastikën është praktikisht i pashmangshëm, sidomos përmes ushqimit dhe ujit që konsumojmë çdo ditë.
Edhe uji i pijshëm nuk bën përjashtim. Mikroplastika është gjetur si në ujin e rubinetit, ashtu edhe në ujin e shisheve plastike. Megjithatë, një studim i botuar në revistën shkencore Environmental Science & Technology Letters ka zbuluar një mënyrë të thjeshtë dhe ekonomike për të reduktuar ndjeshëm praninë e këtyre grimcave në ujin që përdorim në shtëpi: zierjen e tij përpara konsumit.
Studiuesit analizuan mostra të ujit të rubinetit të marra në qytetin Guangzhou. Në laborator, ata shtuan në ujë sasi të ndryshme mikroplastike dhe nanoplastike, për të testuar efektin e trajtimit me nxehtësi. Uji u zje për rreth pesë minuta dhe më pas u la të ftohej përpara analizave të reja.
Rezultatet treguan një fenomen interesant kimik. Gjatë zierjes, uji formon depozita gëlqerore, përbërësi kryesor i të cilave është karbonati i kalciumit (CaCO₃). Ky mineral krijon një lloj “kapsule” rreth grimcave plastike, duke i bllokuar ato në strukturat gëlqerore. Kur uji ftohet, këto depozita mund të hiqen lehtësisht, ndërsa grimcat e mikroplastikës mbeten të bllokuara brenda tyre. Mbetjet e mbetura në pezullim mund të filtrohen edhe me një filtër të thjeshtë, si për shembull një filtër kafeje.
Sipas studiuesve, metoda rezulton veçanërisht efektive në ujin e ashtuquajtur “të fortë”, që përmban sasi më të larta mineralesh. Në një kampion me rreth 300 miligramë karbonat kalciumi për litër, zierja arriti të eliminojë deri në 90 për qind të mikro dhe nanoplastikës së pranishme në ujë. Në ujërat më të buta, ku përmbajtja minerale është më e ulët (nën 60 miligramë për litër), efekti është më modest, por gjithsesi i rëndësishëm: rreth 25 për qind e grimcave plastike hiqen përmes zierjes.
Megjithatë, problemi i mikroplastikës nuk kufizohet vetëm te uji i pijshëm. Hulumtimet e fundit tregojnë se këto grimca po depërtojnë gjithnjë e më thellë në ekosistemet natyrore, veçanërisht në fundet e deteve dhe të lumenjve, duke rrezikuar ekuilibrin e zinxhirit ushqimor.
Një studim i publikuar në revistën Science Advances analizoi efektet afatgjata të grimcave plastike mbi organizmat që jetojnë në sedimentet e ujërave të ëmbla. Shkencëtarët nga Wageningen University & Research kryen një eksperiment në një kanal të hapur, ku vendosën rezervuarë me sedimente të populluara nga kërmij, krimba dhe jovertebrorë të tjerë që luajnë rol kyç në shpërbërjen e materies organike.
Në këta rezervuarë u shtuan fragmente polistireni në përqendrime të ndryshme. Pas 15 muajsh, studiuesit zbuluan se zonat me ndotjen më të lartë plastike ishin dukshëm më pak të populluara nga organizmat dekompozues. Veçanërisht e prekur ishte familja e krimbave Naididae, organizma të vegjël por jetikë për ekosistemin.
Këta krimba kanë një funksion thelbësor: ata shpërbëjnë lëndën organike dhe hapin tunele në sediment, duke mundësuar qarkullimin e oksigjenit dhe riciklimin e lëndëve ushqyese. Për më tepër, ata shërbejnë si ushqim për peshqit dhe shumë specie të tjera ujore. Në eksperiment, rezervuarët me ndotje të ulët plastike përmbanin deri në 800 krimba, ndërsa ato me përqendrim të lartë plastike vetëm rreth 300. Kjo tregon se mikroplastika mund të ndikojë drejtpërdrejt në bazën e zinxhirit ushqimor.
Një studim tjetër, i botuar në revistën Environmental Science & Technology, zbuloi se nanoplastika depërton edhe më thellë në sedimentet detare nga sa ishte menduar më parë. Shkencëtarët nga Guangxi University analizuan 52 mostra sedimenti të mbledhura nga Gulf of Tonkin, një zonë e rëndësishme peshkimi në South China Sea.
Mostrat u morën jo vetëm në sipërfaqe, por edhe në thellësi shumë më të mëdha se në studimet e mëparshme. Rezultatet treguan se fragmente plastike gjendeshin deri në 60 centimetra nën sipërfaqen e shtratit të detit, të përziera me sedimente të depozituara që në vitin 1897 – një periudhë kur plastika ende nuk përdorej gjerësisht.
Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se përqendrimi më i madh i nanoplastikës përbëhej nga polietileni dhe polipropileni, materiale që përdoren gjerësisht në pajisjet e peshkimit. Në shtresat më të thella të sedimentit, përqendrimi i plastikës rezultoi deri pesë herë më i lartë se në sipërfaqe.
Një rol të rëndësishëm në këtë fenomen luajnë pikërisht organizmat dekompozues, si krimbat e sedimenteve, të cilët gjatë ushqimit dhe gërmimit të tuneleve gëlltisin grimcat plastike dhe i transportojnë ato më thellë në tokën detare. Në këtë mënyrë, mbetjet moderne plastike përfundojnë të përziera me shtresëzime shumë më të vjetra gjeologjike.
Të gjitha këto studime tregojnë se mikroplastika nuk është thjesht një ndotje sipërfaqësore. Ajo po depërton në thellësi të natyrës dhe në vetë strukturën e ekosistemeve. Ndërsa shkenca vazhdon të kërkojë zgjidhje afatgjata për këtë problem global, veprime të thjeshta në jetën e përditshme – si zierja e ujit përpara konsumit – mund të ndihmojnë të paktën në reduktimin e ekspozimit tonë ndaj këtij ndotësi të padukshëm.
Përgatiti: L.Veizi
