Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, deklaroi sot se bota e di që Rusia “po dështon në luftën e saj” kundër Ukrainës, duke i bërë thirrje Moskës t’i japë fund gjakderdhjes dhe të ulet në tryezën e negociatave.
Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Miliband u shpreh se kishte ardhur koha që ministrat rusë t’i tregonin presidentit Vladimir Putin të vërtetën dhe ta bindnin atë t’i jepte fund luftës.
Ai theksoi se mbështetja e Britanisë së Madhe për Ukrainën do të vazhdonte.
“Katër vjet më parë, Putini priste që mbështetësit e Ukrainës të tërhiqeshin, por mbështetja jonë është e palëkundur”, deklaroi Miliband.
Sipas tij, presidenti rus besonte se koha do të ishte në favor të Rusisë, ndërsa përparimet e forcave ruse pothuajse janë ndalur.
Miliband tha se numri i ushtarakëve rusë të vrarë ose të plagosur ka kaluar shifrën 1,5 milionë.
Ai shtoi se ekonomia ruse po përballet me vështirësi, ndërsa pasojat e vendimeve të Putinit dhe sanksionet po kufizojnë të ardhurat që financojnë makinerinë ushtarake të Kremlinit.
“Bota e di se Rusia po dështon në këtë luftë. Populli rus mund ta ndiejë këtë dhe ministrat e dinë gjithashtu. Ata duhet t’i thonë presidentit Putin t’i japë fund gjakderdhjes”, u shpreh sekretari i Jashtëm britanik.
Ai siguroi se angazhimi i Londrës dhe aleatëve të saj ndaj Ukrainës nuk do të lëkundej.
“Ne qëndrojmë me Ukrainën tani. Do të qëndrojmë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha Miliband.
Më herët, duke folur në Kombet e Bashkuara, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se si Rusia, ashtu edhe Ukraina dëshironin t’i jepnin fund luftës.
“Mendoj se do të arrijmë një marrëveshje”, tha presidenti Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi një marrëveshje të mundshme.
Presidenti amerikan bëri gjithashtu të ditur se Shtetet e Bashkuara po diskutonin mundësinë që Ukraina të prodhonte raketa interceptuese “Patriot”, të cilat do ta ndihmonin në mbrojtjen kundër sulmeve ruse.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar nga Uashingtoni furnizime të mëtejshme me këto armë, ndërsa ekspertët e mbrojtjes paralajmërojnë se aktualisht ekziston një mungesë globale e raketave “Patriot” e ndikuar edhe nga konflikti në Lindjen e Mesme./mxh
