Gjatë paraqitjes së saj në “Podfest”, këngëtarja dhe anëtarja e jurisë së Festivalit të Këngës 2024, Jonida Maliqi, u rikthye tek diskutimet që kanë qarkulluar prej vitit të kaluar rreth marrëdhënies së saj me Elvana Gjatën. Tensionet e përfolura nisën gjatë natës së votimit, kur Jonida e renditi Elvanën të dytën me këngën “Karnaval”, ndërsa një nënqeshje e saj gjatë leximit të pikëve u bë virale dhe u interpretua gjerësisht në rrjetet sociale.
Në bisedën me Olti Currin, Maliqi u pyet nëse kishte përballur sulme nga fansat e Elvanës. Ajo u ndal gjatë në përgjigje, duke e lidhur situatën me polemikat e mëhershme: kritikat nisën edhe gjatë edicionit kur Arilena Ara fitoi festivalin.
“Më kanë sulmuar që në fillim, para Shkodrës Elektronike, kur fitoi Arilena Ara. Asokohe unë vija nga Festivali i 2018-ës dhe në 2019-ën duhej të jepja trofeun, dhe më desh t’ia jepja Arilenës. Më pas më ftuan për intervista pas festivalit, ku shprehesha si artiste. Dhe njerëzit këtë e ngatërrojnë – krijohen skenare absurde, jo vetëm nga publiku, por edhe nga mediat. Ana personale nuk ka të bëjë fare. Vetëm se thashë ‘kënga e Arilenës, sipas shijeve të mia muzikore, është kënga fituese’.”
Olti Curri e provokoi me një koment të drejtpërdrejtë: “Pra, paske dalë dy herë kundër Elvanës, artistikisht”.
Maliqi pranoi se artistikisht mund të jetë perceptuar kështu, por nënvizoi se kjo nuk lidhet aspak me marrëdhëniet personale:
“Artistikisht, ndoshta po, por personalisht duhet ta sqarojmë një herë e mirë. Elvanën e njoh që në moshë fare të vogël. Nuk ka nevojë fare për elozhet e mia, sepse nëse është aty ku është, është falë atributeve të saj. Ajo është një artiste që unë e kam vlerësuar gjithmonë, por nëse mua nuk më pëlqen kënga, nuk ka të bëjë me personin, por vetëm me materialin muzikor.”
Në përfundim, Maliqi shprehu respekt dhe urime për vazhdimësinë e karrierës së Gjatës, duke shtuar se beson se Elvana “do të vazhdonte edhe disa dekada në skenën muzikore shqiptare”./MXH
