Gjermania nuk do të marrë pjesë aktive në veprimet ushtarake kundër Iranit, por do të shqyrtojë mbrojtjen e ushtarëve të saj të stacionuar në bazat ushtarake shumëkombëshe në Jordani dhe Irak nëse ata sulmohen. Kështu ka deklaruar Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul.
“Ne gjithashtu nuk kemi aftësitë përkatëse ushtarake. Dhe Republika Federale padyshim nuk ka ndërmend të marrë pjesë në asnjë mënyrë”, tha Wadephul.
Megjithatë, ministri i Jashtëm u shpreh më tej se ishte e mundur që ushtarët gjermanë të mbroheshin në rast se sulmoheshin. Sipas Forcave të Armatosura Gjermane, bazat ushtarake ku janë të stacionuar ushtarët gjermanë u shënjestruan pas përshkallëzimit të situatës në rajon.
Gjatë fundjavës, u kryen sulme në bazat shumëkombëshe në Irbil në Irakun verior dhe në Al-Azraq në Jordani. Ushtarët në vendngjarje nuk u lënduan dhe janë të sigurt. /kb
