Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se ekziston mundësia që Irani dhe Shtetet e Bashkuara të arrijnë një marrëveshje të përkohshme për Ngushticën e Hormuzit edhe brenda një kohe shumë të shkurtër.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun sirian Asad al-Shaibani, Fidan tha se negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit mund të sjellin një rezultat pozitiv, por shtoi se çështja mbetet komplekse dhe kërkon zgjidhjen e disa detajeve teknike.
Sipas tij, roli i Omanit si ndërmjetësues është i rëndësishëm, ndërsa palët po shqyrtojnë mënyrën, kohëzgjatjen dhe mekanizmin që do të garantonte vazhdimin e lundrimit në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.
Fidan bëri të ditur se në tryezë është një marrëveshje kalimtare 60-ditore, e cila do të mundësonte vazhdimin e qarkullimit të naftës dhe do të shmangte tronditjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke krijuar njëkohësisht hapësirë për një marrëveshje më afatgjatë.
Ministri turk tha gjithashtu se ka disa pika afrimi në lidhje me çështjen bërthamore iraniane dhe se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mund të arrihet nëse palët tregojnë vullnet politik.
Duke folur për konfliktin në Lindjen e Mesme, Fidan kritikoi qeverinë izraelite të Benjamin Netanyahut, duke e akuzuar se po dëmton përpjekjet për paqe dhe po përpiqet të zhvendosë palestinezët nga Gaza.
Ai deklaroi se Turqia do të vijojë të mbështesë stabilitetin e Sirisë, duke theksuar se siguria e këtij vendi lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e Turqisë. Ankara, sipas tij, do të forcojë bashkëpunimin me Damaskun në fushat e sigurisë, mbrojtjes dhe luftës kundër terrorizmit./ad
