Qeveria ka hedhur një tjetër hap në drejtim të reformimit ekonomik, duke miratuar Programin e Reformave Ekonomike për periudhën 2026–2028. Vendimi është propozuar nga Ministria e Financave dhe është miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Dokumenti parashikon masa konkrete që prekin drejtpërdrejt financat publike, biznesin dhe mënyrën e mbledhjes së të ardhurave. Në qendër të programit është konsolidimi fiskal, përmes rritjes së eficiencës në mbledhjen e taksave dhe kontrollit më të fortë të shpenzimeve publike.
“Qeveria parashikon rritje të të ardhurave tatimore me rreth 1.8% të PBB-së deri në vitin 2027, jo përmes rritjes së normave, por duke hequr përjashtime tatimore dhe duke forcuar kontrollet. Do të rishikohen 74 përjashtime tatimore, kryesisht në TVSH, tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat personale.”
Programi parashikon gjithashtu përdorimin e të dhënave nga palë të treta, si energjia elektrike, uji, bankat, automjetet dhe kontratat e qirasë, për t’i krahasuar me deklarimet dhe për të identifikuar të ardhura apo pasuri të pajustifikuara.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e reformës është menaxhimi i investimeve publike dhe disiplinimi i përdorimit të fondeve buxhetore.
“Nga viti 2026, asnjë projekt nuk futet në buxhet pa studim fizibiliteti. Vetëm projektet e ‘maturuara’ do të financohen. Vendoset edhe prag minimal financiar: 25 milionë euro për projekte transporti dhe 15 milionë euro për sektorë të tjerë strategjikë. Kjo synon të shmangë projektet e papërgatitura dhe mosrealizimin e fondeve.”
Risi institucionale e programit është krijimi i Këshillit Fiskal, një institucion i pavarur që do të monitorojë buxhetin, borxhin publik dhe respektimin e rregullave fiskale, me synimin për të rritur transparencën dhe kontrollin mbi politikat financiare të qeverisë./K.M
