Fondacioni bamirës i themeluar nga Bill Gates ka dhënë një paralajmërim shqetësues mbi të ardhmen e shëndetit global të fëmijëve. Sipas një postimi zyrtar në blogun e Gates Foundation, për herë të parë në 25 vitet e fundit, numri i vdekjeve të fëmijëve pritet të rritet me rreth 200 mijë raste, si pasojë e shkurtimeve të ndihmës financiare për vendet në zhvillim.Këto shkurtime janë iniciuar nga administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump, por Bill Gates thekson se Shtetet e Bashkuara nuk janë i vetmi vend që ka ulur fondet. Në një intervistë për The Conversation, Gates shpjegoi se edhe Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe vende të tjera të pasura kanë ndjekur të njëjtën qasje. “Por për të qenë i qartë, nuk është vetëm SHBA-ja që ka bërë shkurtime. Mbretëria e Bashkuar ka bërë shkurtime, Gjermania ka bërë shkurtime dhe ky efekt i përgjithshëm është ai që do ta bëjë këtë periudhë pesëvjeçare jashtëzakonisht të vështirë,” u shpreh Gates.
Pabarazi ekstreme në mbijetesën e fëmijëve
Gates solli në vëmendje dallimet dramatike mes vendeve të pasura dhe atyre më të varfra. Në rajone si veriu i Nigerisë, mbi 10% e fëmijëve vdesin para moshës pesë vjeç, ndërsa në SHBA kjo shifër është nën 1% dhe lidhet kryesisht me komplikacione gjatë lindjes. Ai theksoi se sëmundje si malaria, tuberkulozi dhe mungesa e ushqimit po rikthehen si kërcënime serioze, sidomos pas shkurtimeve të papritura të fondeve amerikane. “SHBA-ja largoi papritur shumë punonjës dhe ndërpreu financimet në gjysmën e parë të vitit. Pikërisht aty shpërndaheshin rrjetat kundër mushkonjave, ndihma ushqimore dhe identifikoheshin rastet e tuberkulozit,” shtoi Gates. Sipas tij, shkurtime të tilla të menjëhershme dhe masive kanë çuar në humbje të shumta jete, duke përmbysur përparimin e bërë ndër vite.
Një arritje historike në rrezik
Gates rikujtoi se lëvizja globale për shëndetin publik kishte arritur të ulë me 50% vdekjet e fëmijëve, nga rreth 10 milionë në vit, në periudhën 2000–2025. Ky sukses u bë i mundur falë rritjes së investimeve në vaksina, trajtime dhe sisteme bazë shëndetësore. Tani, sipas tij, ky progres është seriozisht i rrezikuar.
Pse gjashtë muajt e ardhshëm janë vendimtarë
Duke folur për të ardhmen, Gates theksoi se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë kritikë për përcaktimin e politikave të financimit global. “Do të përcaktohet roli i Kongresit në buxhetet për shëndetin global. Do të shihet se si do të funksionojnë marrëveshjet e reja. Dhe për vendet e varfra, pyetja është: a do të ruajnë një nivel bujarie që na lejon të rikthehemi në rrugën e duhur?” Ai vlerësoi pozitivisht faktin që SHBA-ja ka ruajtur angazhimin ndaj Fondit Global, duke e cilësuar këtë si një sinjal të rëndësishëm për të bindur vendet evropiane të mos bëjnë shkurtime më të thella.
Ndihma globale: më pak se 1% e buxheteve kombëtare
Gates nënvizoi se ndihma për shëndetin global përbën më pak se 1% të buxheteve të vendeve të pasura, edhe pse shpesh perceptohet si shumë më e lartë. Ai kujtoi gjithashtu rritjen e madhe të ndihmës amerikane gjatë presidencës së George W. Bush, veçanërisht për luftën kundër HIV/AIDS në Afrikë. “Nuk ishte e drejtë t’i linim njerëzit të vdisnin kur ilaçet ishin kaq të lira. Sot, falë inovacionit, kemi mundësi edhe më të mëdha për të ulur vdekjet,” përfundoi Gates. m.p.
