Ish-finalisti i “Big Brother”, këngëtari Miri, ka ndarë përvojën e tij pas daljes nga formati gjatë një interviste në “Shqipëria Live”. Ai u ndal te përballja me realitetin jashtë shtëpisë, duke treguar se periudha pas spektaklit ka qenë e mbushur me interes dhe pyetje nga njerëzit që e rrethojnë.
Miri theksoi se shumë prej të njohurve të tij kanë dashur të kuptojnë më në detaje situatat e transmetuara gjatë qëndrimit në lojë, duke e vendosur shpesh në pozita shpjeguese.
“Javën e fundit thash kur do dal, tani që dola them isha mirë aty. Kushdo që më takonte, nga rrethi im donte një shpjegim të gjërave të mia. Pyetja më e shpeshtë që më bëjnë është ‘ku e gjete gjithë atë durim’. Ose unë kam shumë durim, ose që të kesh durim është vlerë në shoqërie shqiptare”, tha ai.
Sa i përket zërave për një përplasje me Ilir Vrenozin dhe videos virale që u komentua gjerësisht në rrjet ditën e djeshme, ai i hodhi poshtë, duke sqaruar se gjithçka është keqkuptuar dhe nuk ka pasur asnjë incident mes tyre.
“Nuk e kam parë fare këtë video, ma kanë çuar shumë njerëz, ata që më duan dhe ata që nuk më duan. Ky episod ka ndodhur para se të futeshim në regjistrim në post Big Brother. Kam qenë me Monika Kryemadhi dhe Arbër Hajdarin, pyesni ata të thonë çfarë ka ndodhur. Nuk ka pasur asgjë mes nesh”, u përgjigj ai.
Duke reflektuar mbi sjelljen e tij në shtëpi, Miri pranoi se presioni i lojës ndikon në reagimet e çdo konkurrenti, duke e bërë të vështirë ruajtjen e qetësisë në çdo moment.
“Perfekt është vetëm Zoti. Disa gabime janë dhe pjesë e trysnisë dhe kur përballesh me uljen e dinjitetit, ku të dalin fjalë që në fjalorin tim jashtë nuk i kam”, tha ai.
Në fund, ai sqaroi edhe marrëdhënien me Selinën, duke theksuar se bëhej fjalë për një vlerësim të sinqertë njerëzor dhe jo për një ndjenjë romantike.
“E kam adhuruar atë vajzë për zgjuarsinë, e kam dashur si njeri…. njësoj si vajzën time. Nuk më pëlqente në atë aspekt, por e kisha ndjenjë njerëzore. Si vajzën time… si ta shpjegoj?!”, u shpreh ai duke shtuar dhe një mesazh për babain e Selin: “Deklarata e tij normalisht ishte për të mbrojtur fëmijën e tij, këtë do bëja dhe unë, por nuk do isha nxituar duke akuzuar një njeri për diçka që nuk ka fakte. Nëse ti do gjykosh apo akuzosh dikë duhen fakte. Të gjykohesh nga perceptimi për mua nuk është mirë sepse krijohet një ballafaqim dhe debat nga asgjëja. Jam pro kur vërtetohen gjërat. Nëse ai e ka parë ashtu duhet ti thoshte vajzës së tij, largohu nga ai.”/mxh
