Last Updated on 23/04/2026 by EL
Ujërat e liqenit të Fierzës janë përballur sërish me ndotje të konsiderueshme këtë pranverë, një fenomen i përsëritur që shfaqet sa herë reshjet e dendura dhe erërat e forta përfshijnë zonën e Kukësit. Rritja e nivelit të ujit ka sjellë në sipërfaqe dhe përgjatë brigjeve tonelata mbetjesh urbane, plastike dhe materiale të tjera, duke krijuar një panoramë shqetësuese në basenin më të madh ujor të vendit.
Zona përballë fshatit Breglumë është ndër më të prekurat, ku mbeturinat e grumbulluara formojnë shtresa të dukshme ndotjeje. Sipas të dhënave, një pjesë e madhe e këtyre mbetjeve vijnë të transportuara nga rrjedhat e lumenjve që burojnë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, por ndikim kanë edhe mbetjet e hedhura në disa njësi administrative brenda qarkut të Kukësit.
Pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme nga Bashkia Kukës, e cila përdor një anije ekologjike për pastrimin e sipërfaqes së liqenit, situata përsëritet çdo vit në periudha me reshje intensive. Kjo tregon se problemi mbetet strukturor dhe kërkon bashkëpunim më të gjerë ndërkufitar, si dhe ndërgjegjësim më të lartë për menaxhimin e mbetjeve në të gjitha zonat që ndikojnë në pellgun ujëmbledhës të Fierzës./ET
