Izraeli vijon të përballet me reagime ndërkombëtare pas ndalimit të një flotiljeje protestuese që po udhëtonte drejt Gazës. Ministrja izraelite e Transportit, Miri Regev, ka mbrojtur ndërhyrjen e autoriteteve izraelite ndaj aktivistëve të arrestuar nga marina izraelite në portin e Ashdodit.
Në një video të publikuar të enjten, Regev u shfaq gjatë një vizite në portin jugor të Izraelit, ku deklaroi: “Kështu duhet të veprohet ndaj mbështetësve të terrorit që erdhën për të thyer bllokadën.”
Deklaratat e saj vijnë ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, publikoi gjithashtu pamje nga porti, duke kritikuar aktivistët. Mediat izraelite i kanë cilësuar këto dalje publike si lëvizje me tone elektorale, në prag të mundshëm të zgjedhjeve të parakohshme në Izrael.
Sipas Reuters, anija e ndaluar u identifikua përmes strukturës së saj dhe pamjet përputheshin me ato të një mjeti lundrues që mbërriti në Ashdod më 20 maj, i cili raportohet se transportonte aktivistë të huaj. Agjencia nuk mundi të konfirmojë në mënyrë të pavarur identitetin e të gjithë personave në bord, por disa prej tyre përputheshin me pjesëmarrës të flotiljes “Global Sumud”.
Aktivistët u arrestuan pasi marina izraelite ndërpreu flotiljen në ujërat ndërkombëtare. Trajtimi i tyre nga policia izraelite, nën drejtimin e Ben-Gvir, ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare dhe kritika edhe nga vetë kryeministri Benjamin Netanyahu.
Franca, Kanadaja, Spanja, Portugalia dhe Holanda kanë thirrur diplomatët izraelitë për sqarime lidhur me incidentin.
Ndërkohë, Kanadaja dhe Spanja kanë vendosur sanksione ndaj ministrave të ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, duke i akuzuar për nxitje të dhunës ndaj palestinezëve.
Ministria e Jashtme izraelite nuk ka komentuar ende mbi akuzat e aktivistëve, të cilët pretendojnë se janë keqtrajtuar pas ndalimit të flotiljes. Edhe në raste të mëparshme, pjesëmarrës në flotilje të ngjashme kanë deklaruar se janë përballur me abuzime nga forcat izraelite, akuza që Izraeli i ka mohuar vazhdimisht./mxh
