Dasma e Dua Lipës dhe Callum Turner në Sicili tërhoqi vëmendjen e mediave në mbarë botën, por një detaj i veçantë nuk kaloi pa u vënë re: babai i aktorit britanik nuk ishte mes të ftuarve në ceremoninë e tyre.
Sipas raportimeve të The Sun, ndërsa çifti festonte ditën më të rëndësishme të jetës, Laurence Coles ndodhej mijëra kilometra larg, në Angli, ku kishte zgjedhur të merrte pjesë në një tjetër ceremoni martesore, atë të Jamie Rae Keeble, vajzës së bateristit të grupit Spandau Ballet, John Keeble.
Burime pranë familjes kanë bërë me dije se marrëdhënia mes Callum Turner dhe babait të tij ka qenë e ndërlikuar prej shumë vitesh. Edhe pse së fundmi ishte përfolur për një afrim mes tyre, mungesa e Coles në dasmën e të birit ka ngritur sërish pikëpyetje mbi raportin që ata kanë.
Vetë Callum ka folur në të kaluarën për lidhjen me të atin, duke pranuar se marrëdhënia e tyre nuk ka qenë e fortë. Aktori është rritur nga nëna e tij, Rosemary Turner, në Londër, ndërsa babai u vendos në Australi, duke bërë që kontaktet mes tyre të ishin të kufizuara për shumë vite.
Ndërsa ceremonia e Dua Lipës dhe Callum Turner u komentua gjerësisht për atmosferën luksoze dhe listën e të ftuarve VIP, mungesa e babait të dhëndrit është kthyer në një nga temat më tëdiskutuara në mediat rozë, duke shtuar kuriozitetin rreth marrëdhënieve brenda familjes së aktorit./mxh
