Last Updated on 03/01/2026 by Leonard
Nga Leonard Veizi
3 janari 2026, do të mbetet në histori si dita kur “supermakina” amerikane dëshmoi se koha e diktatorëve që mbijetojnë përmes kriminalizimit të shtetit nuk është e pafundme. Njoftimi i Presidentit Donald Trump për kapjen dhe largimin e Nicolás Maduros dhe bashkëshortes së tij nga Venezuela nuk është thjesht një operacion ushtarak i suksesshëm; është një tërmet gjeopolitik që shkon përtej kufijve të Amerikës Latine, duke rihapur debatet e vjetra mbi forcën, ligjin dhe sovranitetin.
Ky akt nuk është një përjashtim historik, por vazhdimësi e një modeli të njohur amerikan.
Historia e Amerikës Latine është e mbushur me ndërhyrje të Uashingtonit, shpesh përmes grushteve të shtetit të drejtpërdrejtë ose të orkestruar në hije: Kili i Salvador Allendes në vitin 1973, ku demokracia u rrëzua nga tanket; Nikaragua, ku regjime u ndërruan sipas logjikës së Luftës së Ftohtë; Argjentina, e mbytur për vite me radhë nga junta ushtarake; pa harruar Guatemalën e viteve ’50 apo Panamanë e Manuel Noriegës në 1989, kur SHBA tregoi hapur se ishte gati të hynte me trupa për të kapur një lider problematik.
Në të gjitha këto raste, mesazhi ka qenë i njëjtë: kur një regjim perceptohet si kërcënim për interesat strategjike amerikane, sovraniteti shndërrohet në koncept relativ.
Venezuela e Maduros u bë rasti ekstrem i këtij modeli. Një shtet i dështuar, me miliona qytetarë të larguar, institucione të boshatisura dhe një ekonomi të gllabëruar nga tregu i zi dhe rrjetet kriminale. Për SHBA-në, ndërhyrja u paraqit si akt çlirimi dhe rivendosje rendi. Për kritikët, ajo mbetet një demonstrim brutal force që konfirmon se rregullat ndërkombëtare funksionojnë vetëm për aq kohë sa nuk bien ndesh me interesat e një superfuqie.
Por kapja e Maduros ka një domethënie më të thellë. Ajo shemb mitin e të paprekshmit. Nga Lindja e Mesme deri në Euroazi, mesazhi është i qartë: asnjë aleancë, asnjë ushtri dhe asnjë propagandë nuk garanton shpëtim kur shteti kthehet në një organizatë kriminale.
Për liderët autoritarë, ky është një paralajmërim sistemik: durimi i Perëndimit ka kufij dhe ata kufij mund të kthehen papritur në veprim.
Për rendin botëror, është prova se vijat e kuqe, sado të paqarta, ekzistojnë dhe kalimi i tyre mund të ketë pasoja personale për udhëheqësit, jo vetëm për shtetet.
Megjithatë, ky operacion — i kryer pa një mandat të qartë të OKB-së — hap një çarje serioze në kredibilitetin moral të Perëndimit. Pyetja që shtrohet sot në çdo kancelari është e pashmangshme: a zbatohet drejtësia njësoj për të gjithë, apo vetëm për ata që nuk janë më të dobishëm në lojën gjeopolitike? Dhe nëse ndërhyrja shkel parimin e mosndërhyrjes, a nuk rrezikon ajo të legjitimojë veprime të ngjashme nga fuqi të tjera në zonat e tyre të influencës?
Historia e Amerikës Latine na mëson se rrëzimi i një tirani është vetëm akti i parë. Supermakina amerikane mund të ndalë një diktator, por nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik, kulturën demokratike dhe përgjegjësinë e brendshme që nevojiten për të ndërtuar një shtet funksional.
Për popullin venezuelian, simbolika është e pamohueshme: frika u thye dhe miti i tiranit të paprekshëm u shemb. Por ndërsa pluhuri i operacionit fillon të ulet, sfida e vërtetë sapo ka nisur.
Kapja e Maduros nuk është fundi i krizës, por fillimi i një prove të re për rendin botëror. A do të shënojë kjo një hap drejt një bote më të drejtë, apo një rikthim të hapur në epokën e “diplomacisë së tytave”?
Si gjithmonë, historia nuk pyet kush kishte të drejtë, por kush do ta paguajë llogarinë.
