Last Updated on 05/10/2025 by adminfjala
Punonjësit mjekësorë të mësuar me punën në zona lufte i përshkruajnë lëndimet e shkaktuara në Gaza si më të shpeshta dhe më kritike sesa ato të para më parë.
Khan Yunis, Gaza, 20 shtator: Të plagosurit transportohen në Spitalin Nasser pasi ushtarët izraelitë hapën zjarr mbi civilët që prisnin në radhë për ushqim. Më 25 gusht, Spitali Nasser u bombardua nga ushtria izraelite në dy sulme të njëpasnjëshme, ku i dyti kishte në shënjestër punonjësit e ekipeve të shpëtimit. Të paktën 20 persona u vranë në sulm, përfshirë pesë gazetarë që ishin në krye të detyrës.
Trauma fizike dhe psikologjike me ashpërsi të paparë, madje edhe në krahasim me luftëra të tjera. Mjekë nga e gjithë bota që kanë ofruar shërbime vullnetare në spitalet e Rripit të Gazës gjatë dy viteve të fundit kanë plotësuar pyetësorë mbi lëndimet që kanë trajtuar.
Përgjigjet e tyre, të mbledhura në një studim britanik të publikuar në British Medical Journal, tregojnë për civilë – shpesh fëmijë – viktima të traumave jashtëzakonisht të rënda në frekuencë dhe lloj, përfshirë dëmtime në sy dhe duar që rrallë janë parë edhe në skenarë të tjerë lufte.
Punonjësit e shëndetësisë të intervistuar
Për këtë studim, 78 mjekë dhe infermierë të specializuar në traumë, mjekësi emergjente, pediatri, anestezi dhe kujdes intensiv, nga 22 organizata joqeveritare në Kanada, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, plotësuan një anketë duke përdorur të dhëna mjekësore të përpiluara midis gushtit 2024 dhe shkurtit 2025 – brenda tre muajve nga përfundimi i angazhimit të tyre në Gaza.
65% e të intervistuarve kishin punuar më parë në zona lufte; secili prej tyre qëndroi midis 2 dhe 12 javë në Gaza, për një total prej 322 javësh përvojë në vijën e frontit.
Plagët më të zakonshme
Punonjësit e shëndetësisë përshkruan trauma me ashpërsi të paparë, kryesisht plagë komplekse nga shpërthimet, plagë nga armë zjarri dhe djegie. U raportuan gjithsej 23,726 lëndime traumatike dhe 6,960 plagë nga armë zjarri. Djegiet ishin lëndimet më të zakonshme (18.3%), të ndjekura nga lëndimet në këmbë (17.9%) dhe në krah (14.9%).
Në 742 raste, lëndimet traumatike përfshinin edhe komplikacione obstetrike – në një të tretën e tyre, nëna ose fetusi humbën jetën.
Ndër traumat më të zakonshme psikologjike të raportuara ishin: depresioni, reagimet akute ndaj stresit dhe idetë vetëvrasëse.
Nga lëndimet e drejtpërdrejta të shkaktuara nga armët, 67% ishin lëndime nga shpërthimet, që preknin më së shpeshti kokën (28%); ndërsa plagët nga armë zjarri preknin kryesisht këmbët.
Gjendjet më të zakonshme mjekësore të raportuara ishin kequshqyerja dhe dehidratimi, të ndjekura nga sepsisi dhe gastroenteriti. Ndër pacientët e trajtuar ishin 4,188 persona me sëmundje kronike që kërkonin kujdes afatgjatë.
Një gravitet i padëgjuar
Në përgjigjet e hapura, mjekët shpesh i përshkruanin lëndimet si jashtëzakonisht të rënda, duke përmendur trauma në gjymtyrë të shumëfishta, fraktura të hapura të kafkës dhe dëmtime të mëdha në organet e brendshme, si dhe djegie të rënda – veçanërisht tek fëmijët.
70% e mjekëve raportuan se kishin trajtuar plagë në dy ose më shumë rajone anatomike dhe kishin marrë pjesë në operacione masive shpëtimi pas të shtënave: 77% ishin përballur me 5–10 raste të tilla, ndërsa 18% me më shumë se 10 skenarë të tillë.
Shifrat e një gjenocidi
Sipas të dhënave të publikuara mbi ofensivën ushtarake izraelite në Gaza, të nisur pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, më shumë se 65,000 njerëz janë vrarë, përfshirë 18,000 fëmijë, dhe të paktën 200,000 janë plagosur (sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të raportuara nga Amnesty International).
Civilë të pambrojtur kanë humbur jetën në sulme të drejtpërdrejta, që në shumë raste kanë zhdukur tërë breza të familjeve në një episod të vetëm. Dhjetëra palestinezë mbeten ende të pagjetur, dhe numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë.
Qytetet, spitalet dhe infrastruktura jetësore janë rrafshuar me tokë. Nëntë nga dhjetë banorë të një popullsie prej gati 2.1 milionë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe po jetojnë në kushte të papërshtatshme. Më shumë se 500,000 njerëz po vuajnë nga uria, përballë një katastrofe që konsiderohet e parandalueshme dhe e vetëshkaktuar, për shkak të bllokadës së ndihmës humanitare nga ushtria izraelite.
Më 16 shtator, Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit i Kombeve të Bashkuara deklaroi se ajo që po ndodh në Gaza nuk është vetëm një katastrofë humanitare, por një gjenocid.
Burimi: focus.it/ Nga Elisabetta Intini/ Përgatiti për botim: L.Veizi
