Muzikanti britanik Moby ndau një moment të veçantë dhe emocional me publikun gjatë koncertit të tij “Labyrinth on the Thames” në Greenwich, duke shfaqur një video-mesazh të papublikuar më parë nga primatologia dhe etologia e njohur Jane Goodall, të regjistruar pak para ndarjes së saj nga jeta.
Në videon prekëse, Goodall i drejtohet Moby-t me një mesazh mirënjohjeje për mbështetjen e tij ndaj Jane Goodall Legacy Foundation, duke vlerësuar angazhimin e tij për mbrojtjen e kafshëve dhe të mjedisit.
Shfaqja e mesazhit gjatë koncertit mori një ngarkesë të veçantë emocionale, pasi Goodall, një prej figurave më të njohura në botë në mbrojtje të natyrës dhe kafshëve, u nda nga jeta më 1 tetor 2025, në moshën 91-vjeçare.
Moby, i cili prej vitesh është i njohur edhe për aktivizmin e tij në çështjet e të drejtave të kafshëve dhe mbrojtjes së mjedisit, e ka mbështetur publikisht punën e Goodall dhe fondacionin e saj.
Momenti në Greenwich u kthye kështu në një homazh të ndjerë për një prej zërave më të fuqishëm të brezave të fundit në mbrojtje të natyrës./mxh
