Last Updated on 17/02/2026 by Anisa
Një aksident i frikshëm olimpik ndodhi të dielën në Milano-Cortina.
Skiatori finlandez Elias Lajunen u përplas fort mbi shpinë gjatë provës së tij kualifikuese në disiplinën freeski big air në Lojërat Olimpike Dimërore 2026 në Livigno, duke pësuar një rrëzim të dhunshëm, ku humbi ndjenjat. Pasi u përplas me fytyrë në akull, ai qëndroi i palëviyur për disa sekonda, ndërsa ekipet mjekësore vrapuan për t’i ardhur në ndihmë.

Megjithatë, Lajunen arriti të ulej vetë dhe i dha publikut shenjën me “gishti lart” për të treguar se ishte mirë. Më pas u transportua me barelë mes duartrokitjeve të spektatorëve. Ai pësoi një dëmtim në anën e djathtë të fytyrës, por sipas medias finlandeze YLE, ai është “në gjendje të mirë”. Testet e mëtejshme nuk zbuluan lëndime serioze, megjithatë ai qëndroi në spital gjatë natës për vëzhgim.

Lajunen, 18 vjeç, djali i kampionit tre herë olimpik Samppa Lajunen, po bënte debutimin e tij olimpik në vitin 2026. Ai kishte garuar më herët në kualifikimet e slopestyle, por nuk arriti të kualifikohej në finale, duke u renditur i 18-ti. Rrëzimi i së dielës gjithashtu e nxori jashtë garës për medalje në disiplinën big air, pasi nuk mori pjesë në provën e tretë kualifikuese.

Së bashku me Lajunen, edhe finlandezët Elias Syrja dhe Kuura Koivisto garuan në kualifikime të dielën, por nuk arritën të kalonin në raundin final.
Ndërkohë, amerikani Mac Forehand kryesoi renditjen me 183.00 pikë dhe do të synojë medaljen e artë në finalen e së martës.

Pas dështimit për të dërguar një skiator në finalen e big air, Finlanda renditet në vendin e 23-të me vetëm tre medalje në Lojërat Olimpike 2026 — të gjitha bronzi. Medaljet erdhën nga Suvi Minkkinen në biatlon, Eero Hirvonen në kombinimin nordik dhe nga ekipi i stafetës së femrave në ski ndër-vend.
Norvegjia kryeson me 26 medalje, prej të cilave 12 të arta, ndërsa Italia, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara ndjekin me përkatësisht tetë, gjashtë dhe pesë medalje të arta.


Për SHBA-të, Lojërat Olimpike 2026 kanë qenë kryesisht zhgënjyese, me yje si Ilia Malinin dhe Chloe Kim që nuk arritën të fitojnë medalje të artë. Ndërkohë, patinatori i shpejtësisë Jordan Stolz i ka mbajtur në garën për medalje me dy medalje të arta deri tani./fjala.al-AD