Last Updated on 18/08/2026 by Anisa
Këto janë pamjet pak çaste pas shpërthimit të motorit të një skafi në Porto Palermo, ku katër persona mbetën të plagosur.
Në pamje shihet skafi në det, larg bregut, ndërsa disa qytetarë afrohen me shpejtësi për t’u ardhur në ndihmë personave të dëmtuar. Ndërhyrja është kryer me mjete lundruese dhe jet ski, ndërsa të plagosurit janë nxjerrë nga uji dhe kanë marrë ndihmën e parë.
Katër persona pësuan dëmtime si pasojë e shpërthimit të motorit të skafit. Dy prej tyre raportohet se kanë pësuar dëmtime më të rënda dhe po transportohen drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Pamjet tregojnë momentet e para pas incidentit dhe reagimin e menjëhershëm të qytetarëve, të cilët iu afruan skafit për të ndihmuar të dëmtuarit, në pritje të mbërritjes së ekipeve të emergjencës.
Të plagosurit janë identifikuar si Mateo Merdanaj, Aleks Doda, Xhemal Ismailaj dhe Ardinant Qaziu. Ata pësuan djegie gjatë punimeve për riparimin e motorit të skafit, pasi benzina në pjesën e motorit dhe në serbator dyshohet se mori flakë.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej personave dyshohet se po konsumonte cigare në momentin kur benzina mori flakë, duke shkaktuar shpërthimin dhe zjarrin.
Katër të plagosurit u dërguan fillimisht në spitalin e Himarës. Njëri prej tyre raportohet se ka pësuar djegie në rreth 50% të trupit, ndërsa një tjetër ka marrë djegie edhe më të rënda.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, ata u transportuan më pas drejt Vlorës dhe, pas marrjes së ndihmës së parë, u nisën drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Ngjarja në Porto Palermo ndodhi vetëm një ditë pas zjarrit në një hotel në Vlorë, ku mbetën të plagosur gjashtë persona. Dy prej tyre vijojnë të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore./ad
