Bashkëpiloti që tentoi të marrë kontrollin e avionit të Flydubai me destinacion Izraelin e sulmoi pilotin me një sëpatë emergjence, sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Avioni që udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit me mbi 170 persona në bord ra rreth 5,200 metra, dy orë e gjysmë pas nisjes, përpara se pasagjerët të arrinin ta neutralizonin autorin dhe të merrnin kontrollin e avionit.
Kapiteni Smit Machchhar tha se ishte i shtrirë në dysheme i plagosur kur kuptoi se avioni po binte dhe duhej të vepronte: “I thashë vetes të bëj një përpjekje të fundit për të hapur derën nga brenda”, gjë që lejoi pasagjerët të hynin. Dy pilotë rezervë e ulën avionin në mënyrë të sigurt në Arabinë Saudite.
Prokurori i Emirateve tha se hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat dhe motivet e incidentit. Sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, bashkëpiloti që kreu sulmin ishte një shtetas oman. Media ndërkombëtare e ka identifikuar si Hamam al-Hammami, megjithëse nuk ka ende konfirmim zyrtar. Raportime nga SHBA thonë se ai ishte larguar nga trajnimi i fluturimit në Oman Air për shkak të dyshimeve mbi pikëpamjet e tij radikale.
Universiteti Buckinghamshire New në Mbretërinë e Bashkuar konfirmoi se ai kishte përfunduar një kurs trevjeçar me distancë në menaxhim aviacioni në vitin 2023, por pa trajnim pilotimi.
Netanyahu tha për Fox News se pasi u neutralizua, autori bërtiti “Më vrisni, më vrisni!”, duke shtuar se ai kishte gjasa të përplaste avionin. Sipas kryeministrit izraelit, autori kishte kaluar në “indoktrinim islamist radikal”.
Kapiteni Machchhar, i cili u plagos gjatë sulmit, u dërgua fillimisht në një spital pranë vendit dhe më pas u transportua në Abu Dhabi, ku raportohet se është në gjendje të stabilizuar. Ambasada indiane në Emiratet e Bashkuara Arabe tha se piloti indian është në gjendje të mirë dhe po rikuperohet.
Avioni lëshoi kodin e emergjencës “squawk 7700” përpara se të kalonte në “squawk 7500”, që nënkupton ndërhyrje të paligjshme ose rrëmbim./mxh
