Raportuesja speciale e OKB-së për Palestinën, Francesca Albanese, deklaroi të premten se shpreson që qytetarët italianë të kundërshtojnë projektligjin e debatueshëm për antisemitizmin që po shqyrtohet në parlamentin e Italisë.
Në një reagim në platformën “X”, Albanese ngriti pikëpyetje lidhur me përfshirjen e kulturës izraelite në Itali, duke iu referuar projektligjit të njohur si DDL 1004.
Ajo e cilësoi nismën si pjesë të asaj që e përshkroi si “izraelizim të shoqërisë”, për të cilin tha se mbështetet nga elita qeverisëse dhe një pjesë e opozitës.
“Shpresoj që populli italian ta kundërshtojë këtë turp të paralajmëruar. Historia jemi ne”, shkroi Albanese.
Projektligji DDL 1004 është propozuar nga Liga, parti e krahut të djathtë dhe një prej forcave më të vogla në koalicionin qeverisës të drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni.
Nisma parashikon përdorimin e kritereve të përcaktuara nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) për identifikimin dhe përcaktimin e antisemitizmit.
Pas miratimit në Senat në muajin mars, projektligji aktualisht ndodhet në Dhomën e Deputetëve, ku pritet shqyrtimi dhe votimi përfundimtar.
Ndërkohë, të enjten në Milano u zhvillua një protestë kundër projektligjit, ku morën pjesë qindra persona. Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe si “Jo projektligjit për antisemitizmin”, “Kritika ndaj Izraelit nuk është antisemitizëm” dhe “Protesta është një e drejtë”, ndërsa gjatë tubimit u dëgjuan edhe thirrje për “Liri për Palestinën”./mxh