Last Updated on 27/04/2026 by Anisa
Në një prononcim për mediat pas seancës paraprake në GJKKO, Monika Kryemadhi ka kritikuar ashpër dosjen e ngritur nga SPAK ndaj saj, duke e cilësuar si “përrallë” dhe “fabul” të ndërtuar për opinionin publik.
Sipas saj, prokuroria ka përdorur në mënyrë selektive disa mesazhe telefonike për të ngritur një akuzë për korrupsion, ndërsa kërkoi që të bëhet ekspertimi i plotë i telefonit për të sqaruar të gjithë kontekstin e komunikimeve.
“E gjithë dosja është ndërtuar si një fabul për të krijuar një perceptim,” u shpreh Kryemadhi, duke shtuar se provat janë interpretuar në mënyrë të njëanshme.
Në qendër të hetimeve është pretendimi për një ofertë banese në këmbim të mbështetjes së një ligji për minierat në vitin 2014, akuzë që ajo e ka mohuar kategorikisht. Kryemadhi deklaroi se bëhej fjalë për një banesë të parë, por më pas të anuluar prej saj.
Ajo e krahasoi situatën me një zgjedhje të zakonshme konsumatori, duke theksuar se një mesazh i vetëm nuk mund të përbëjë provë për korrupsion.
Sa i përket ligjit për minierat, Monika Kryemadhi tha se ai ishte një vendim kolektiv i Kuvendit dhe jo një vendim personal, duke theksuar se është votuar nga 72 deputetë dhe ka pasur qëllim përmirësimin e sigurisë në punë.
Ajo shtoi se do të kërkojë thirrjen si dëshmitarë të figurave politike të përfshira në proces, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe ish-zyrtarë të tjerë, për të sqaruar rrethanat e çështjes.
