Pas ditësh të tëra në qendër të vëmendjes, pas publikimit të materialeve intime me kompozitorin Adi Hila, Monika Lubonja është shfaqur sërish në Instagram. Këtë herë, aktorja ka zgjedhur të ndajë një mesazh që nuk ka kaluar pa u vënë re, sidomos duke pasur parasysh situatën e vështirë që ka përjetuar ditët e fundit.
“Çudia më e madhe zgjat 7 ditë”, dëgjohet të thotë Lubonja në videon e publikuar së fundmi. Një shprehje që, në rrethana të tjera, mund të dukej krejt e zakonshme, por që vjen në një moment kur emri i saj po komentohet gjerësisht në media dhe rrjete sociale.
Nuk dihet nëse kjo fjali është një mesazh i tërthortë për gjithë zhurmën e krijuar rreth saj apo thjesht pjesë e videos promovuese ku aktorja ka marrë pjesë. Megjithatë, për shkak të kohës kur është publikuar, shprehja ka ngjallur kureshtje dhe ka lënë vend për interpretime.
Pas qarkullimit të materialeve intime, Monika reagoi publikisht përmes një deklarate në Instagram, ku foli për cenimin e privatësisë dhe të besimit të saj. Ajo sqaroi se nuk kishte pasur dijeni për filmimin dhe se nuk kishte dhënë pëlqimin për publikimin e pamjeve.
Aktorja bëri të ditur gjithashtu se i ishte drejtuar gjykatës, duke vendosur ta ndiqte çështjen në rrugë ligjore. Tashmë, me këtë video të re, mbetet për t’u parë nëse mesazhi i saj lidhet me ngjarjet e fundit apo është thjesht një rastësi./mxh
