Last Updated on 13/08/2026 by Anisa
Nga Nard Ndoka
Ka njerëz që sot kanë më shumë frikë nga protesta sesa nga sistemi që na ka sjellë deri këtu.
Kanë frikë kush është në shesh, kush e mbështet, kush mund të përfitojë prej saj, kush fshihet pas saj, kush është me Sorosin, kush me islamikët, kush me grekët, serbët, rusët, izraelitët…
Me pak fjalë, i kanë gjet protestës krejt armiqtë e mundshëm të Shqipërisë, vetëm një gja nuk po arrijnë me pa: shqiptarët që janë aty.
E pikërisht këtu nis historia.
Protesta, para se të rrëzojë një qeveri, ka rrëzu diçka shumë më të rëndësishme: frikën.
Në atë shesh kemi pa demokratë, socialistë, demokristianë, njerëz pa parti e njerëz që ndoshta deri dje nuk kishin marrë pjesë kurrë në një protestë.
Kemi pa socialistë që kanë djeg teserat e partisë për të kundërshtu Kryeministrin, kemi pa njerëz të “Rilindjes” mes protestuesve, demokratë që kanë dalë edhe kur vetë partia e tyne është duk më skeptike se qytetarët.
Kam pa edhe demokristianë. Madje ndonjëri, për bela, ka kap edhe mikrofonin. 
Dhe kjo është bukuria e saj.
Protesta nuk po pyet ma çfarë tesere ke në xhep. Po pyet çfarë Shqipërie do.
Dy muaj protestë në kulmin e vapës, nën presion, shantazh, joshje, lodhje dhe propagandë.
Dy muaj që po sfidojnë jo vetëm temperaturat e gushtit, por temperaturën politike të një sistemi që prej vitesh është mësuar ta ketë qytetarin spektator.
E qytetari, për dreq, ka vendos të zbresë në fushë.
Kam ndjek me vëmendje çdo za që ka ardh nga protesta, por edhe kritikët dhe skeptikët jashtë saj, disa prej tyre i kam edhe miq.
Një qeveri nervoze dhe të friksuar.
Një opozitë që ende kërkon busullën.
Një pjesë të medias të trishtuar, sikur protesta po i prish rendin e emisioneve.
Zëra që dikur flisnin me sigurinë e pushtetit, sot flasin me za më të ulët.
Dhe përballë tyne, qytetarë që kanë fillu të ngrenë kokën.
Pra, frika po ndërron krah.
Kjo është risia më e madhe politike e këtyne dy muajve.
Natyrisht, ka edhe njerëz të sinqertë që shqetësohen.
Dikush sheh islamikët pas protestës. Dikush Sorosin. Një tjetër grekët e serbët. Tjetri rusët. Po të vazhdojmë edhe pak, do të dalë se në shesh kanë zbarkuar të gjitha shërbimet sekrete të globit, ndërsa shqiptarët paskan shku vetëm për kafe.
Hajt, burra, se edhe konspiracioni don pak hesap!
Sigurisht që rryma të ndryshme politike, ekonomike apo ndërkombëtare mund të kenë interesa të tyre. Kjo ndodh në çdo krizë politike dhe në çdo vend.
Por të reduktosh mijëra qytetarë, sakrificën, zemërimin dhe shpresën e tyre në një skemë të importuar, është t’u bësh një padrejtësi të madhe atyre që po e mbajnë protestën gjallë.
Sepse trupi i kësaj proteste janë qytetarët.
Shpirti i saj është revolta. Forca e saj është këmbëngulja. Kapitali i saj është guximi.
Dhe askush, as Sorosi, as islamikët, as rusët, as grekët, as serbët, nuk mund t’i komandojë shqiptarët nëse shqiptarët vendosin të mos komandohen.
Kaq e thjeshtë është.
Por ka edhe një të vërtetë tjetër që duhet thënë.
Opozita tradicionale duhet ta kuptojë se kjo protestë nuk është pronë e saj.
Madje ndoshta pikërisht këtu qëndron shansi i saj.
Për shumë vite partitë tona e kanë trajtuar qytetarin si numër, militant, komisioner, patronazhist, votues apo dekor mitingu.
Tani qytetari po kërkon të jetë protagonist.
Dhe partitë kanë vetëm dy mundësi: ta kuptojnë ose të mbeten pas tij.
Nuk mund të kërkosh ndryshimin e sistemit duke ruajt me fanatizëm zakonet e sistemit dhe padrejtsite e tij.
Nuk mund të bërtasësh kundër Ramës dhe njëkohësisht të ëndërrosh të trashëgosh mekanizmin e tij.
Nuk mund të kërkosh qytetarë të lirë vetëm deri ditën kur të duhet vota e tyre.
Shqipërisë nuk i duhet thjesht ndërrimi i shoferit. I duhet ndryshuar makina që na çon prej tridhjetë vjetësh rrotull në të njëjtin rrethrrotullim tek shqiponja.
E këtu është halli i madh i sistemit të vjetër.
Sepse Edi Rama është sot maja e tij politike, por sistemi është më i gjerë se një njeri.
Është mënyrë qeverisjeje, mënyrë kontrolli, mënyrë rekrutimi, mënyrë propagande, mënyrë shpërndarjeje privilegjesh dhe frike.
Dhe kur një sistem fillon të mbahet me patericat e njerëzve që publikisht bëjnë sikur luftojnë njëri tjetrin, atëherë problemi nuk është më vetëm qeveria.
Problemi është teatri.
Njëri luan pushtetin, tjetri opozitën, qytetari blen biletën dhe Shqipëria vazhdon të humbasë njerëzit e saj.
Kjo lojë duhet të marrë fund.
Shtatori po vjen.
Por nuk duhet prit shtatori si një datë magjike në kalendar.
Shtatori duhet të vijë si fazë e re e ndërgjegjësimit qytetar, me ide, organizim, njerëz të rinj, diasporë, rini dhe mbi të gjitha me një objektiv më të madh sesa largimi i një emri.
Sepse nëse ikën Rama dhe mbetet “edvinizmi” i sistemit, kemi ndërruar tabelën në derë, jo shtëpinë.
Prandaj sot nuk është koha për hapa pas. As për frikë. As për hamendësime të pafundme.
As për të kërkuar çdo mbrëmje se cili komplot ndërkombëtar fshihet pas qytetarit që proteston.
Është koha për qartësi.
Protesta duhet kritiku kur gabon, duhet ruajt nga ekstremizmi, duhet mbajt larg dhunës dhe duhet mbrojt nga kushdo që kërkon ta privatizojë politikisht.
Por mbi të gjitha, duhet mbështet e drejta e qytetarëve për të thye frikën dhe monopolin e sistemit.
Edhe kur protesta nuk na pëlqen plotësisht. Edhe kur nuk kontrollohet prej nesh.
Madje sidomos atëherë.
Sepse demokracia nuk është të duartrokasësh qytetarin vetëm kur mendon si ti. Demokracia fillon kur pranon që qytetari të jetë i lirë edhe prej teje.
Partitë politike patën më shumë se tri dekada për ta bërë Shqipërinë si Europa.
Nuk ia dolën.
Në vend që të sillnin Europën këtu, i detyruan shqiptarët të merrnin valixhet dhe të shkonin ta kërkonin Europën jashtë Shqipërisë.
Ky është bilanci më i dhimbshëm i tranzicionit tonë.
Tani radha është e qytetarëve.
E rinisë, diasporës, atyre që kanë qëndru.
E atyre që janë largu, por Shqipërinë vazhdojnë ta mbajnë me vete.
Europa nuk ndërtohet këtu as nga Sorosi, as nga rusët, as nga islamikët, as nga izraelitët, as nga ndonjë ambasadë që na do apo nuk na do.
Europa ndërtohet nga ne.
Me standarde europiane, me institucione europiane, me zgjedhje të lira, me drejtësi, me ekonomi që nuk të dëbon nga vendi dhe me një shtet që nuk të pyet kë njeh përpara se të të njohë të drejtën.
Prandaj, atyre që sot kanë frikë nga protesta, u them:
Mos kini frikë nga qytetari që ngre zërin.
Kini frikë nga qytetari që hesht, dorëzohet, merr valixhen dhe ikën.
Sepse protesta mund të rrëzojë një qeveri.
Heshtja dhe ikja rrëzojnë një vend.
E boll ma.
Shqipëria nuk ka nevojë për një popull që pret se çfarë do të bëjë politika.
Ka nevojë për një politikë që më në fund të kuptojë se populli nuk pret ma.
