Last Updated on 04/10/2026 by EL
Palestinezët e zhvendosur në pjesën jugore të Rripit të Gazës të shtunën kërkuan tenda, batanije dhe furnizime bazë para dimrit, duke paralajmëruar se mungesa e strehimit dhe pakësimi i ndihmave humanitare mund të lërë mijëra njerëz të ekspozuar ndaj shiut, të ftohtit dhe erërave të forta.
Dhjetëra banorë të zhvendosur protestuan në zonën Fash Farsh në Khan Younis, duke u bërë thirrje organizatave ndërkombëtare dhe donatorëve të sigurojnë materiale për strehim, ushqim dhe furnizime bazë mes bllokadës së vendosur nga Izraeli.
“Çadrat tona janë grisur dhe stomakët tanë janë bosh. Mos na lini në mëshirë të fatit”, shkruhej në një prej pankartave të protestuesve.
Familjet thanë se kanë frikë nga përsëritja e dimrave të mëparshëm, kur reshjet e dendura përmbytën dhe dëmtuan çadrat, duke i lënë të ekspozuara ndaj kushteve të vështira atmosferike.
Gjatë periudhave të të ftohtit të madh dhe pas shembjes së ndërtesave të dëmtuara janë raportuar edhe viktima, përfshirë fëmijë.
“Po hyjmë në dimër dhe kemi nevojë për mbulesa plastike, tenda, ushqim dhe furnizime mjekësore që të mund t’u bëjmë ballë reshjeve të dendura dhe erërave”, tha Iyad Zomor për Anadolu.
Iyad Al-Shaer tha se shumë prej çadrave ofrojnë pak mbrojtje ndaj të ftohtit, shiut dhe erës, duke u bërë thirrje organizatave humanitare të sigurojnë materiale për strehim para se kushtet atmosferike të përkeqësohen.
Ahmed Hassan Al-Najjar, i cili mbikëqyr zonën Fash Farsh, tha për Anadolu se 35 kampe për të zhvendosurit strehojnë 6.000 familje, ose rreth 40.000 njerëz.
Ai tha se banorët përballen me mungesë të çadrave, mbulesave plastike, pakove ushqimore dhe furnizimeve mjekësore dhe bëri thirrje për ndihmë urgjente.
Sipas shifrave palestineze, Izraeli ka vrarë më shumë se 74.000 palestinezë dhe ka plagosur mbi 175.000 të tjerë në Gaza që nga tetori i vitit 2023, ndërsa 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar. /et
