Last Updated on 17/06/2026 by Anisa
Një incident detar që ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve ushtarake të Rusisë dhe Britanisë së Madhe u regjistrua të martën në Kanalin Anglez, ku një anije luftarake ruse qëlloi me armë zjarri paralajmëruese ndaj një anijeje britanike me vela, pas një afrimi që Moska e cilësoi si të rrezikshëm.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, ngjarja ndodhi rreth mesditës, rreth 20 milje detare në jug të Ishullit Wight, në ujëra ndërkombëtare. Fregata ruse Admiral Grigorovich vuri re një anije me flamur britanik që po lëvizte me motor dhe që, sipas autoriteteve ruse, po ndiqte një kurs që do ta afronte në mënyrë të rrezikshme me luftanijen.
Moska pretendon se ekuipazhi i fregatës tentoi fillimisht të komunikonte me velierën përmes radios, si dhe me sinjale zanore dhe vizuale paralajmëruese. Megjithatë, sipas versionit rus, anija britanike vijoi lëvizjen drejt fregatës pavarësisht thirrjeve për ndryshim kursi.
Kur distanca mes dy mjeteve lundruese u reduktua në rreth 150 metra, komandanti i Admiral Grigorovich urdhëroi që të qëlloheshin të shtëna paralajmëruese përpara velierës. Ministria ruse deklaroi se pas të shtënave anija britanike ndryshoi menjëherë drejtimin dhe u largua nga zona.
“Ekuipazhi i fregatës veproi në përputhje të plotë me rregullat ndërkombëtare të lundrimit dhe mori të gjitha masat e nevojshme për të shmangur një incident”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Nga ana tjetër, Ministria britanike e Mbrojtjes konfirmoi se anija ruse ka qëlluar me armë zjarri pas përpjekjeve për komunikim, por theksoi se të shtënat nuk ishin drejtuar ndaj velierës britanike.
“Zjarri nuk ishte i drejtuar ndaj anijes dhe kishte për qëllim parandalimin e një përplasjeje të mundshme”, deklaroi një zëdhënës i ministrisë.
Në momentin e incidentit, fregata ruse po monitorohej nga anija patrulluese e Marinës Mbretërore britanike HMS Mersey. Pas ngjarjes, një mjet i kësaj anijeje iu afrua velierës për të verifikuar gjendjen e ekuipazhit dhe për të mbledhur informacion mbi incidentin.
Autoritetet britanike bënë të ditur se nuk pati të lënduar apo dëme materiale dhe se anija me vela vazhdoi udhëtimin normalisht.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas një operacioni të Marinës Mbretërore kundër cisternës Smyrtos, e cila ndodhet nën sanksione për shkak të lidhjeve të dyshuara me të ashtuquajturën “flotë në hije” të Rusisë. Megjithatë, Londra theksoi se hetimet paraprake nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes dy episodeve dhe e konsiderojnë incidentin me fregatën ruse si një rast të izoluar./a.d
