Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se prodhimi i karburantit për raketat me rreze të gjatë veprimi të Ukrainës në një fabrikë në Danimarkë paraqet rrezik të përshkallëzimit të konfliktit.
Sipas saj, Danimarka është bërë “vendi i parë që sponsorizon regjimin terrorist të Kievit”, duke lejuar prodhimin e komponentëve të armëve me qëllim përdorimin e tyre kundër qyteteve ruse. Ajo shtoi se ky veprim tregon kursin “armiqësor dhe militarist” të Kopenhagenit, i cili, sipas Moskës, pengon çdo përpjekje për zgjidhjen e krizës ukrainase me mjete politike dhe diplomatike.
Zakharova akuzoi gjithashtu autoritetet daneze se po e përdorin këtë nismë për të nxitur zhvillimin e kompleksit të tyre ushtarako-industrial dhe se po përpiqen të përfitojnë financiarisht “nga gjakderdhja në Ukrainë”, duke neglizhuar interesat e popullsisë së tyre dhe të drejtat e njeriut.
Qeveria daneze e kishte njoftuar planin në shtator, gjë që kishte nxitur reagimin e ashpër të Moskës, e cila paralajmëron se një hap i tillë mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit./mxh
