Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se qeveria po hap zyrtarisht procesin për miratimin e buxhetit të shtetit për vitin 2026, duke e cilësuar atë si “të përgjegjshëm, të balancuar dhe mbi të gjitha, një buxhet që përmbush të gjitha nevojat e sigurisë së Izraelit”. Ai theksoi se Izraeli ka arritur “suksese të jashtëzakonshme” në atë që e quajti “Lufta e Ringritjes”, duke pretenduar se këto fitore dëshmojnë se vendi mbetet “shteti më i fuqishëm në Lindjen e Mesme”, si ushtarakisht ashtu edhe ekonomikisht.
Gjatë fjalës së tij, Netanyahu njoftoi emërimin e shefit të ri të agjencisë së inteligjencës së jashtme, Mossad, gjeneralmajor Roman Gofman, duke vlerësuar karrierën e tij ushtarake dhe rolin e tij në ngjarjet e 7 tetorit.
Ai konfirmoi gjithashtu se Izraeli ka marrë dhe identifikuar trupin e punëtorit bujqësor tajlandez, Sudthisak Rinthalak. Netanyahu shtoi se vendi mbetet i përkushtuar për të rikthyer trupin e pengut izraelit, oficerit të policisë Ran Gvili, i cili është pengu i fundit për të cilin besohet se mbahet ende nga militantët palestinezë në Rripin e Gazës.
Kryeministri izraelit vuri në dukje se kabineti po mblidhet për miratimin e buxhetit të ri dhe se ekonomia izraelite, sipas tij, është e qëndrueshme dhe e fortë, duke mbështetur fuqinë e përgjithshme të shtetit./mxh
