Last Updated on 21/09/2025 by adminfjala
Italia dhe Austria njoftuan të enjten se ka përfunduar faza e parë e ndërtimit të tunelit të Bazës së Brennerit, duke arritur në diafragmën e fundit të tunelit. Ky tunel, me gjatësi 64 kilometra, pritet të bëhet tuneli hekurudhor më i gjatë në botë, duke lidhur dy vende dhe duke përshpejtuar lidhjet mes qyteteve europiane.
“Flavia”, një makinë precize e operuar nga kompania WeBuild, ka qenë përgjegjëse për gërmimin e më shumë se 14 kilometrave nën Alpe. Projekti përfshin dy tunele paralelë që shërbejnë si galeri baze, dhe tashmë po përgatitet faza e dytë e ndërtimit, përfshirë betonimin përfundimtar, sistemet e ventilimit dhe sinjalizimit.
Ministri italian i Infrastrukturës, Matteo Salvini, e konsideron këtë tunel një mundësi të madhe për të përmirësuar shkëmbimet tregtare dhe lëvizjen e udhëtarëve. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e ka quajtur këtë moment si historik për ekonominë rajonale. Me trenat e shpejtësisë së lartë që do të lëvizin deri në 250 km/h, udhëtimi nga Fortezza, Itali, deri në Innsbruck, Austri, do të shkurtohet nga 80 minuta në vetëm 25 minuta, shkruan A2 CNN.
Ky tunel pritet të integrohet me rrjetet e reja europiane, përfshirë tunelin Lion-Torino, duke përmirësuar lidhjet midis jugut dhe veriut të kontinentit. Me përfundimin e projektit në vitin 2032, trenat e shpejtësisë së lartë do të kalojnë përmes Alpeve, duke afruar më tej qytetet europiane dhe duke forcuar integrimin kontinental. m.p.
