Last Updated on 21/08/2025 by adminfjala
Mjekët okulistë të spitalit rajonal të Vlorës kanë kryer me sukses një ndërhyrje të rrallë dhe tepër të vështirë, duke i rikthyer shikimin një pacienti 59-vjeçar, i cili e kishte humbur plotësisht për shkak të komplikacioneve nga diabeti.
Operacioni u realizua nga ekipi i mjekëve okulistë Dilaver Haskaj, Edmond Isufaj dhe Odela Risilia, me asistencën e mjekut turk Kemal Ylsek.
Sipas mjekëve ky operacion njihet si vitrektomi, i cili është një nga ndërhyrjet më të vështira në fushën e oftalmologjisë. Operacion zgjati rreth 90 minuta dhe pacienti u rikthye në normalitet.
“Falë teknologjisë moderne, ne mund të asistojmë dhe të shohim me qartësi shkallën e dëmtimit të syrit edhe pas retinës, duke bërë të mundur ndërhyrjen në zona ku më parë nuk ishte e realizueshme”, tha mjeku Dilaver Haskaj.
Që prej muajit shkurt e deri më sot, në spitalin e Vlorës janë kryer 15 ndërhyrje të ngjashme, por sipas mjekëve kjo ishte më e vështira, pasi pacienti kishte humbur pothuajse plotësisht shikimin.
“Ishte një ndërhyrje shumë e ndërlikuar, por u realizua me sukses dhe rezultati është një arritje e madhe për mjekësinë rajonale”, tha mjeku Edmond Isufaj.
Ky shërbim është i ri në spitalin e Vlorës dhe ofrohet falas, pasi mbulohet nga buxheti i shtetit. Të gjithë pacientët nga jugu i vendit tashmë mund të përfitojnë këtë trajtim në spitalin Vlorës, pa qenë e nevojshme të shkojnë drejt Tiranës apo në klinika private. m.p.
