Protesta e fundit që ka zbritur qytetarët në shesh po kthehet në një fushëbetejë të heshtur për influencë politike. Në studion e emisionit “3D nga Alban Dudushi” në RTSH, gazetari Flogert Muça ka analizuar dinamikat e këtij tubimi, duke vënë në dukje se ky organizim po shfrytëzohet nga aktorë të ndryshëm të skenës politike shqiptare, të cilët synojnë të kanalizojnë pakënaqësitë e popullatës në favor të axhendave të tyre.
Sipas Muçës, në këtë lëvizje janë gërshetuar grupe të ndryshme interesi. Ai veçon emra si Arlind Qori, Adriatik Lapaj, Agron Shehaj dhe Sali Berisha si figurat kryesore që po përpiqen të tërheqin mbështetje nga kjo masë qytetarësh. Gazetari sqaron se pjesëmarrësit në protestë përfaqësojnë kategori heterogjene – nga individë me shqetësime të thella ekonomike e sociale, deri te ata me pakënaqësi politike – të cilët në proceset e kaluara zgjedhore kanë votuar kundër forcave tradicionale dhe sot po bashkohen rreth një kauze të përbashkët.
Duke zbërthyer segmentet e ndryshme që përbëjnë këtë protestë dhe interesat që fshihen pas tyre, Muça deklaroi: “Këta që janë aty, unë kam përshtypjen se po kapitalizohen politikisht. Të mllefosurit i do Arlindi, ata që shohin shpresë i do Adriatiku, ato të tjerët që janë një grup sipërmarrës të rinj i do Agroni, një pjesë tjetër i ka çuar doktori që janë zënë sot me ata të Arlindit. Disa të tjerë kanë hallin e ilaçeve. Të gjitha këto grupi interesi janë vota që Edi Rama dje i ka marrë kundër dhe doktori i ka marrë kundër dhe janë sot në shesh. Ata sot kanë pretekstin më të bukur për tu bashkuar dhe mund të thënë na i kërkon rinia, na i kërkojnë qytetarët dhe ti lënë partitë”.
Në vlerësimin e tij profesional, ky mozaik kërkesash dhe grupimesh ofron një terren të përshtatshëm për faktorët politikë, të cilët mund ta përdorin thirrjen e qytetarëve dhe të rinisë si një argument legjitim për të artikuluar platformat e tyre, duke u distancuar formalisht nga formatet e vjetra partiake./a.d
