Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi po kalon një formë të shkëlqyer në këtë fillim të sezonit, duke shënuar shtatë gola në tetë javët e para të kampionatit dhe duke e dyfishuar numrin e golave krahasuar me periudhën e njëjtë të sezonit të kaluar.
Sipas mediumit turk “Sabah”, sulmuesi i Fenerbahçes kishte realizuar katër gola në tetë javët e para të edicionit të kaluar, kur ishte pjesë e Mallorcas në La Liga.
Muriqi, i cili pati probleme me lëndime në fillim të sezonit, u rikthye gradualisht në fushë. Ai luajti 30 minutat e fundit në humbjen 2:1 ndaj Gençlerbirliğit, ndërsa shënoi nga një gol në përballjet me Konyasporin dhe Samsunsporin.
Paraqitjen më mbresëlënëse e pati në fitoren historike 8:0 ndaj Eyüpsporit, ku realizoi katër gola. Kosovari gjeti rrjetën edhe ndaj Alanyasporit, ndonëse u aktivizua vetëm në nëntë minutat e fundit.
Me shtatë gola të shënuar, Muriqi ndan kreun e listës së golashënuesve me Mohamed Salah dhe Gift Orbanin, sipas raportimit të mediumit turk.
Sulmuesi kosovar e kishte përfunduar sezonin e kaluar në La Liga me 23 gola, duke u renditur i dyti në garën e golashënuesve, pas Kylian Mbappes së Real Madridit, i cili realizoi 25 herë./ad
