Shkruan Neli Demi
Sot kryeministri u thotë policëve se të rinjtë që protestojnë “nuk lidhin dot shtatë fjalë” dhe “janë pengje të një ideologjie shkatërruese”, duke ndikuar mënyrën se si uniforma do ta shohë qytetarin përballë saj.
Nga këndvështrimi psikologjik, ky komunikim përçmues ndaj protestuesve ul pengesën morale ndaj keqtrajtimit. Kur tjetri paraqitet si i paaftë për të menduar dhe i prirur vetëm për të shkatërruar, bëhet më e lehtë të mos e dëgjosh dhe ta trajtosh si armik.
Çdo akt dhune ndaj pronës, policisë, protestuesve, kalimtarëve, mediave duhet ndaluar dhe çdo autor duhet të mbajë përgjegjësi dhe një gur, që kryeministri mesa duket po e mban në xhep nga një komunikim në tjetrin, nuk mund të përdoret për të mbuluar të gjitha arsyet e protestës, as për të përligjur çdo veprim policor.
Kërkesa për largimin e një qeverie është pjesë e demokracisë. Qeveria nuk është shteti dhe kundërshtari i qeverisë nuk është automatikisht armiku i shtetit.
Përpara policëve, kryeministri ka përgjegjësinë të forcojë vetëpërmbajtjen profesionale. Sepse fjala e pushtetit mund t’ia frenojë dorën uniformës. Mund edhe t’ia çlirojë.
