Last Updated on 09/04/2026 by EL
Kryeministri Edi Rama është ndalur ditën e sotme në Durrës, ku ka zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Socialiste atje.
Gjatë fjalës së tij, Rama kërkoi mbështetje të pakushtëzuar për PS-në në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, të cilat i konsideroi si vendimtare për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
“Sot Shqipëria duhet të vrapojë për të mos e lënë të mbyllet atë derë që na është hapur. Na është hapur një derë që s’ka qenë kurrë realisht e hapur për ne. Na kanë thënë ata vazhdimisht ‘ne ju duam këtu me ne, do vijë një ditë’… Ne duhet të bëjmë çmos që të mos e lëmë derën të mbyllet pa hyrë brenda. Dhe që mos ta humbim, duhet të konfirmojmë fuqishëm PS-në në zgjedhjet e ardhshme, që janë më shumë zgjedhje politike sesa zgjedhje vendore”, tha kryeministri Edi Rama.
Rama vijoi më tej duke thënë se fati ka dashur që t’i bjerë Partisë Socialiste në kurriz një ‘gur kaq i madh’, duke nënkuptuar përgjegjësinë për futjen e Shqipërisë në BE. Kryeministri shtoi se PS ka misionin që ta realizojë futjen e vendit brenda Unionit dhe të mos e humbasin ‘trenin e historisë’.
“Fati e ka dashur që të na bjerë ne në kurriz një gur kaq i madh për ta ngjitur në metrat e fundit dhe për ta vendosur në majë, duke e vulosur prezencën e Shqipërisë në BE. Kjo është diçka që kështu e ka sjellë rrota e historisë dhe ne duhet ta bëjmë këtë realitet. Ne duhet ta kapim trenin e historisë patjetër”, tha mes të tjerash Rama./ET
