NASA ka lëshuar në hapësirë teleskopin e ri “Nancy Grace Roman”, i projektuar për të studiuar planetet e largëta, yjet që shpërthejnë dhe vrimat e zeza, si dhe për të vëzhguar universin në një shkallë të paprecedentë.
Teleskopi, i cili mban emrin e një prej grave të para që ka mbajtur një post drejtues në NASA, u lëshua sot nga Kepi Kanaveral në Florida, në bordin e raketës “Falcon Heavy” të kompanisë “SpaceX” të Elon Musk.
Pritet që teleskopi të arrijë destinacionin e tij, rreth 1,6 milionë kilometra larg Tokës, brenda afro një muaji, ndërsa imazhet e para pritet të dërgohen në fillim të vitit 2027.
Misioni ka një buxhet total prej mbi 4 miliardë dollarësh.
Astronomët do ta përdorin teleskopin për të studiuar, mes të tjerash, ekzoplanetët (planete jashtë sistemit tonë diellor), yjet në shpërthim dhe vrimat e zeza.
Teleskopi “Roman” funksionon në mënyrë të ngjashme me Teleskopin Hapësinor “Hubble”, i lëshuar në vitin 1990, por është projektuar për të vëzhguar zona shumë më të mëdha të qiellit dhe me një shpejtësi shumë më të lartë.
Sipas shkencëtarëve të NASA-s, vëzhgimet që “Roman” mund t’i realizojë brenda një muaji, “Hubble” do t’i kryente për rreth një shekull.
Gjatë më shumë se 35 viteve në hapësirë, “Hubble” ka mbledhur rreth 400 terabajt të dhëna, ndërsa pritet që “Roman” të prodhojë mbi 500 terabajt të dhëna çdo vit.
Ndërkohë, Teleskopi Hapësinor “James Webb”, i lëshuar në fund të vitit 2021 për të plotësuar punën e “Hubble”, vëzhgon universin në gjatësi vale të ndryshme nga “Hubble” dhe “Roman”./mxh
