NASA njoftoi të mërkurën se roveri i saj Perseverance do të vazhdojë të eksplorojë Marsin për disa vite të tjera.
Sipas agjencisë hapësinore, Perseverance ka përshkuar tashmë gati 40 kilometra që kur mbërriti në planetin e kuq në shkurt të vitit 2021.
Gjatë dy viteve të fundit, inxhinierët e NASA-s kanë vlerësuar nën-sistemet dhe qëndrueshmërinë e roverit.
Aktualisht, NASA parashikon se aktuatorët rrotullues, të cilët mbajnë roverin me gjashtë rrota në lëvizje, “mund të funksionojnë në mënyrë optimale” për të paktën 60 kilometra të tjera, ose deri në vitin 2031.
“Këto teste tregojnë se roveri është në gjendje të shkëlqyer,” tha Steve Lee, zëvendës menaxher i projektit Perseverance. “Të gjitha sistemet janë plotësisht të afta të mbështesin një mision afatgjatë për të eksploruar në detaje këtë rajon të jashtëzakonshëm të Marsit”.
Aktualisht, Perseverance po lëviz drejt një rajoni të ri të Marsit, të cilin shkencëtarët e kanë pagëzuar me emrin “Lac de Charmes”. Gjatë vitit të ardhshëm, roveri do të kërkojë mostra shkëmbore në këtë zonë.
Sipas NASA-s, roveri ka kaluar gjithashtu përmes Kraterit Jezero, vendi i një liqeni dhe sistemi të lashtë lumenjsh. Në shtator, roveri gjeti shkëmbinj me përbërje kimike të pazakonta pranë kraterit, që sugjerojnë se dikur mund të ketë ekzistuar jetë në planet./K.M
