Last Updated on 06/08/2026 by Anisa
Kantautori, shkrimtari dhe një nga figurat më të rëndësishme të muzikës italiane, Francesco Guccini, është ndarë nga jeta këtë të enjte në moshën 86-vjeçare, në Pavana të Italisë.
Lajmi u bë i ditur nga familja e tij, e cila njoftoi se artisti ndërroi jetë i rrethuar nga bashkëshortja Raffaella, vajza Teresa dhe të afërmit. Sipas dëshirës së tij, ceremonia mortore do të zhvillohet në privatësi të plotë, ndërsa në muajin shtator do të organizohet një homazh publik në nder të jetës dhe veprës së tij.
I lindur më 14 qershor 1940 në Modena, Guccini ishte i lidhur ngushtë me rrënjët e tij dhe me zonën e Apenineve Toskano-Emiliane, që frymëzoi një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij.
Karrierën muzikore e nisi zyrtarisht në vitin 1967 me albumin Folk beat n. 1, duke u shndërruar në një nga zërat më të rëndësishëm të muzikës së autorit në Itali. Ndër këngët e tij më të njohura janë Auschwitz, Dio è morto, Canzone per un’amica, Radici, Piccola città dhe Amerigo, disa prej të cilave u interpretuan me sukses edhe nga grupet historike Nomadi dhe Équipe 84.
Përveç muzikës, Guccini ishte edhe autor romanesh dhe esesh, skenarist i librave me ilustrime, aktor dhe studiues i dialekteve. Për disa vite ai dha mësim gjuhë italiane në kampusin e Dickinson College në Bolonjë.
Gjatë karrierës së tij u vlerësua me çmime të shumta, përfshirë disa Targa Tenco dhe Premio Tenco, ndërsa në vitin 2002 Universiteti i Bolonjës i akordoi diplomën e nderit në Shkencat e Edukimit. Vdekja e tij shënon humbjen e një prej ikonave më të mëdha të kulturës dhe muzikës italiane.
