Sporti i Kosovës është në zi. Ka ndërruar jetë Nazif Gashi, një nga emrat më të mëdhenj dhe më të respektuar të historisë së boksit kosovar.
Nazif Gashi ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare. Ai ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës që dominoi në boksin e ish-Jugosllavisë gjatë viteve 1970-1980. Bashkë me kolegët e tij, Gashi bëri krenarë gjithë Kosovën e Shqipërinë me paraqitjet e shkëlqyera në turnetë vendore dhe ndërkombëtare.
Gashi ishte i njohur për triumfet e tij mbi boksierë të shquar, duke përfshirë ish-fituesin e medaljes së artë olimpike në Los Angeles dhe kampionin botëror në kategorinë gjysmë të rëndë, Sllobodan Kacar, si dhe mbi kampionin botëror Marian Benesh dhe ish-nënkampionin europian Svetomir Bilic.

Komuniteti sportiv dhe institucionet e sportit kanë shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e një prej figurave më të shquara të boksit kosovar. Në një mesazh ngushëllimi, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, theksoi: “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Nazif Gashit, boksierit të gjeneratës së artë të Prishtinës dhe sportistit që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit tonë. Nazifi ishte shembull i përkushtimit, guximit dhe disiplinës, duke u bërë frymëzim për shumë gjenerata të sportistëve të rinj. Kujtimi për të do të mbetet i përjetshëm.”

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në Arbëri (ish-Dragodan) të Prishtinës, në orën 14:00. Ndërkohë, nesër Komiteti Olimpik i Kosovës do të organizojë një mbledhje komemorative në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë, me fillim në orën 10:00.
Nazif Gashi do të mbahet mend si një legjendë e vërtetë e boksit kosovar, një sportist që ngriti lart emrin e Kosovës dhe frymëzoi breza të tërë atletësh./K.M
