Last Updated on 21/09/2026 by Anisa
Është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare Rrapi Mino, ish-Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë gjatë periudhës së regjimit komunist.
Lajmi bëhet i ditur përmes njoftimit të familjes, ku thuhet se Mino u nda nga jeta më 17 shtator 2026. Sipas njoftimit, ceremonia e varrimit u zhvillua po atë ditë, në orën 14:00, në varrezat e Sharrës.
Rrapi Mino ishte një prej figurave të rëndësishme të sistemit të drejtësisë gjatë diktaturës komuniste. Emri i tij lidhet me disa prej proceseve më të bujshme politike të asaj periudhe, ndërsa në vitet e mëvonshme ai ka rrëfyer publikisht për rolin e tij në procese si ai ndaj Kadri Hazbiut, ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-kreut të Sigurimit të Shtetit. 
Në intervistat e dhëna për mediat, Mino ka folur edhe për proceset ndaj ish-funksionarëve të lartë komunistë, ndërsa ka sjellë dëshmi për zhvillimet brenda institucioneve të drejtësisë dhe marrëdhëniet me drejtuesit e lartë të regjimit. 
Rrapi Mino ishte gjithashtu në detyrë si Prokuror i Përgjithshëm në vitin 1991, kur ndodhën ngjarjet e 2 prillit në Shkodër. Më 6 maj 1991, Kuvendi votoi shkarkimin e tij nga posti. 
Me ndarjen e tij nga jeta, mbyllet jeta e një prej ish-funksionarëve të drejtësisë që mbajti një rol të rëndësishëm në një nga periudhat më të debatueshme të historisë së drejtësisë shqiptare.

