Një iniciativë e ndërmarrë nga Belgjika për të ndaluar reklamimin e alkoolit ndaj të miturve dhe për të vendosur paralajmërime të detyrueshme shëndetësore mbi pasojat e konsumit ka nxitur përplasje diplomatike mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Projektligji belg kërkon të aplikojë etiketime me mesazhin se “alkooli është i dëmshëm për shëndetin”, një lëvizje kjo që ka ndeshur në kundërshtimin e fuqishëm të shteteve prodhuese të verës si Franca, Italia, Rumania dhe Sllovakia.
Këto vende argumentojnë se masat e propozuara krijojnë barriera tregtare dhe fragmentojnë tregun e reklamimit në kontinent. Në qendër të debatit qëndrojnë edhe dallimet kulturore të konsumit mes rajonit të Mesdheut — ku alkooli shoqëron tradicionalisht ushqimin — dhe vendeve veriore apo baltike, të cilat aplikojnë politika më strikte shtetërore për frenimin e pijeve të forta. Shembuj të ngjashëm të mëparshëm, si legjislacioni irlandez për etiketimin e rreziqeve nga kanceri, hasën gjithashtu reagime të ashpra nga Italia dhe presione tregtare ndërkombëtare, çka solli shtyrjen e zbatimit të tyre.
Ndërkohë që Komisioni Europian ka dështuar vazhdimisht në arritjen e afateve për vendosjen e rregullave të njëtrajtshme në nivel blloku, të dhënat tregojnë se konsumi i alkoolit në Europë po pëson rënie të natyrshme. Që nga viti 2019, konsumi i birrës në BE është ulur me mbi 9%, ndërsa kërkesa për alternativa pa alkool po shënon rritje të qëndrueshme, duke riformatuar industrinë pavarësisht ecurisë së debateve ligjore./ad
