Pesë vjet pas rikthimit në pushtet të talibanëve në Afganistan, një investigim i BBC-së sjell një pamje të rrallë të mënyrës sesi qeveriset vendi dhe të jetës së njerëzve nën regjimin islamist. Përmes takimeve me zyrtarë të lartë, ish-komandantë dhe qytetarë, BBC dokumenton kufizimet ndaj grave, kontrollin mbi median dhe vazhdimin e një ideologjie të ashpër, që në shumë raste ngjan me atë të viteve 1990.
Një nga episodet më domethënëse ndodhi në zyrën e guvernatorit Abdullah Sarhadi, ku një 18-vjeçare, e identifikuar me pseudonimin Tuba, kërkoi divorcin nga bashkëshorti, të cilin e akuzonte për dhunë dhe rrahje të vazhdueshme. Ajo këmbënguli se vendimi i saj ishte përfundimtar, pavarësisht përpjekjeve të guvernatorit për ta bindur të qëndronte në martesë.
Sarhadi i tha se pas divorcit mund ta kishte të vështirë të gjente një bashkëshort tjetër, ndërsa e reja iu përgjigj se nderi dhe dinjiteti i saj ishin dëmtuar tashmë. Më vonë, guvernatori bëri komente fyese për gratë, duke thënë se ato janë të mangëta në intelekt, deklaratë që u prit me të qeshura nga burrat e pranishëm.
Sipas BBC-së, sistemi gjyqësor i talebanëve e bën jashtëzakonisht të vështirë, që një grua të marrë divorc pa pëlqimin e bashkëshortit. Në rastin e Tubës, bashkëshorti kërkonte një shumë shumë më të madhe parash nga familja e saj për të pranuar divorcin. Familja megjithatë vendosi ta çojë çështjen në gjykatë.
Sarhadi, i cili ishte komandant i talebanëve gjatë viteve 1990 dhe më pas u mbajt për disa vite në Guantanamo, sot mban poste drejtuese në administratën e tyre. Ai gjithashtu pranoi se kishte marrë pjesë personalisht në shkatërrimin e statujave të lashta të Budës në Bamiyan. Për të, veprimi ishte në përputhje me atë që ai e konsideron ligj dhe vullnet të Zotit dhe nuk shprehu pendesë.
BBC takoi gjithashtu Habibullah Badr, një tjetër figurë të lartë të regjimit, i cili pranoi se gjatë luftës kishte qenë përgjegjës për operacionet e sulmuesve vetëvrasës në Kabul. Ai shmangu pyetjet rreth sulmeve konkrete ku u vranë civilë, duke argumentuar se diskutimi i së kaluarës mund të hapte plagë të vjetra. Pas marrjes së pushtetit, Badr kishte shërbyer edhe si zëvendësdrejtues i burgjeve në të gjithë Afganistanin, duke përfshirë një burg, ku dikur ishte mbajtur vetë.
Në një takim publik, një prej pjesëmarrësve guxoi të kritikonte regjimin duke kërkuar rihapjen e shkollave për vajzat. Ai argumentoi se arsimi është një detyrim fetar si për burrat, ashtu edhe për gratë. Megjithatë, mikrofoni iu hoq shpejt dhe ai nuk u lejua të vazhdonte. Rasti tregon kufijtë e ngushtë të kritikës publike nën qeverisjen e talebanëve.
Gratë mbeten ndër grupet më të prekura nga politikat e regjimit. Ato janë përjashtuar nga pjesa më e madhe e vendeve të punës, janë ndaluar nga universitetet dhe përballen me kufizime të forta në lëvizje dhe në pjesëmarrjen në jetën publike. Shumë prej grave që folën për BBC përshkruan dëshpërim për ëndrrat e ndërprera dhe frikën nga pasojat, nëse protestojnë. Disa aktiviste janë arrestuar, ndërsa gazetarët raportojnë se janë thirrur dhe marrë në pyetje nga inteligjenca e talebanëve.
Zëdhënësi i qeverisë së talebanëve, Zabihullah Mujahid, mbrojti politikat e regjimit, duke thënë se të drejtat dhe liritë lejohen vetëm brenda interpretimit të Sheriatit. Ai argumentoi se puna e grave në zyra mund të çojë në atë që regjimi e konsideron imoralitet dhe se çështja e arsimit të vajzave është ende duke u diskutuar. Për lirinë e medias, ai tha se Afganistani ka kufizime dhe se mediat nuk mund të transmetojnë përmbajtje që bien ndesh me ligjet dhe ritet islame sipas interpretimit të talebanëve.
Në Kandahar, qendra kryesore e pushtetit të talebanëve, kufizimet janë edhe më të dukshme. Burrat duhet të mbajnë mjekër, radiot përballen me ndalime për muzikën dhe zërat e grave, ndërsa gazetarët nuk lejohen të filmojnë lirshëm. Lideri suprem i talebanëve, Hibatullah Akhundzada, vazhdon të qëndrojë kryesisht i tërhequr nga publiku dhe nuk ka dhënë intervista për mediat.
Ndërkohë, Afganistani përballet me varfëri, papunësi dhe pasiguri ekonomike. Në zonat rurale, banorët kërkojnë ujë, rrugë dhe qendra shëndetësore. Edhe disa prej mbështetësve të talebanëve pranojnë se nevojat e popullsisë janë të mëdha dhe shpresojnë që qeveria t’i trajtojë ato.
Megjithatë, për shumë qytetarë problemi kryesor mbetet vetë regjimi. Një grua që përdor pseudonimin Hoda, e cila protestoi kundër talebanëve pas rikthimit të tyre në pushtet, thotë se gratë nuk do ta pranojnë përgjithmonë këtë situatë. Sipas saj, frika e talebanëve nga gratë e arsimuara është një nga arsyet kryesore të kufizimeve. Ajo beson se, nëse gratë dhe vajzat do të kishin akses të plotë në arsim, kjo mund të kërcënonte vetë bazat e pushtetit të talebanëve.
Raportimi i BBC-së tregon kështu një Afganistan ku regjimi përpiqet të paraqitet si më i moderuar dhe më i përgjegjshëm, por ku kufizimet ndaj grave, kontrolli mbi median, mungesa e hapësirës për kritikë dhe qëndrimet e disa prej drejtuesve vazhdojnë të pasqyrojnë një qeverisje të ashpër dhe autoritare./MXH
