Kur jashtë është shumë nxehtë dhe daljet kufizohen, pyetja që i mundon prindërit është e njëjta: si t’i mbajmë fëmijët të zënë pa i lënë gjithë ditën para ekranit?
Një nga zgjidhjet më të thjeshta janë librat me aktivitete. Ngjyrosje, labirinte, shkronja, numra, lojëra logjike, ushtrime me figura dhe detyra krijuese që e kthejnë kohën në shtëpi në diçka më argëtuese, por edhe më të dobishme.
Për fëmijët nga 3 deri në 6 vjeç, aktivitete të tilla ndihmojnë në zhvillimin e përqendrimit, aftësive motorike, logjikës, gjuhës, matematikës dhe krijimtarisë, pa e bërë procesin të ndihet si “mësim”.
Më poshtë, disa alternativa të ndara sipas moshës:
1. Dosja “Hop-Hop” për moshat 3–4 vjeç
“Hop-Hop” është krijuar për fëmijët më të vegjël që po hedhin hapat e parë drejt aktiviteteve të strukturuara. Ilustrimet lidhen me botën që ata njohin: natyrën, kafshët, mjedisin ku jetojnë, përrallat dhe personazhet e dashura.
Brenda ka aktivitete të ndryshme për secilën temë, të cilat mund të përdoren si pjesë e rutinës së kopshtit, por po aq lehtë edhe në shtëpi, duke zgjedhur vetëm ato që i përshtaten fëmijës.
2. “Blloku im argëtues i kopshtit” për moshat 3–5 vjeç
Ushtrimet përfshijnë gjetjen e dallimeve, ndjekjen e gjurmëve, daljen nga labirintet, identifikimin e figurave të gabuara dhe ngjyrosjen. Një detaj praktik është formati në bllok. Fëmijët që ende nuk ndihen rehat duke punuar me një libër të plotë mund të plotësojnë një faqe dhe më pas ta shkëpusin.
3. “Blloku im: Numrat” dhe “Blloku im: Shkronjat” për moshat 3–5 vjeç
Për fëmijët që po fillojnë të tregojnë interes për numrat dhe alfabetin, këto dy blloqe janë një hyrje e thjeshtë dhe vizuale. Përmes figurave dhe ushtrimeve të shkurtra, ata njihen gradualisht me numrat, format dhe shkronjat, pa presionin e një materiali shumë “shkollor”.
4. “9 miqtë e mi” për moshat 4–5 vjeç
Ky libër është pak më i strukturuar dhe është hartuar sipas fushave kurrikulare të edukimit parashkollor. Ai përfshin zhvillimin gjuhësor, matematikor, shkencor, artistik, social dhe shëndetësor. Libri është ndarë në 9 kapituj, të menduar për 9 muajt e vitit mësimor, nga tetori deri në qershor, dhe shoqërohet edhe me një udhëzues për prindërit dhe edukatorët.
5. Seria “Mëso dhe luaj” për moshat 5–6 vjeç
Fëmijët punojnë me forma, të kundërtat, numra dhe shkronja, duke ndërtuar bazat që do t’u duhen kur të hyjnë në klasën e parë. Është një seri që funksionon si urë mes lojës së kopshtit dhe strukturës së shkollës.
6. Kutia “Luaj me shkronjat” për moshat 5–6 vjeç
Për fëmijët që mësojnë më mirë duke prekur dhe lëvizur objekte sesa vetëm duke parë një faqe, kjo kuti është një alternativë praktike. Ajo përmban fisha kartoni për shkronjat e alfabetit shqip, ku secila shoqërohet me një figurë. Kutia shoqërohet edhe me një CD integruese, për ta vazhduar lojën në kompjuter.
7. Paketa “Një hap drejt shkollës” për moshat 5–6 vjeç
Siç e tregon edhe emri, kjo paketë është menduar për fëmijët që po i afrohen klasës së parë. Materialet janë hartuar në përputhje me kurrikulën e re për edukimin parashkollor dhe shoqërohen me një udhëzues për prindërit dhe mësuesit.
Me fjalë të tjera, ideja nuk është që pushimet të kthehen në një zgjatim të shkollës, por kur fëmijët po kërkojnë diçka për të bërë dhe jashtë është shumë vapë, një libër me labirinte, ngjyrosje apo shkronja mund të jetë shumë më interesant nga sa duket. Dhe nëse gjatë lojës mësojnë edhe diçka të re, aq më mirë./MXH
